“Të isha edhe njëherë i ri!”

Nga Klaudio Ndreca

Shkëlqimi dhe rënia e Bekim Balajt! Vetëm 32-vjeç, por sulmuesi duket se do ta mbyll karrierën shumë para kohe, ndryshe nga rastet e zakonshme. Në katër aventurat e fundit me Sturm Graz, Novgorod, Keciorengucu dhe tani te Vllaznia, shkodrani numëron në total vetëm 7 gola.

Shumë pak për lojtarin që erdhi me bujë të madhe për Vllazninë me aromë Europe, disa menduan edhe “Champions League”. Alban Xhaferi di gjithmonë të surprizojë tifozët. Presidenti i ekipit shkodran është për t’u vlerësuar pasi kërkon të afrojë në klub figurat e njohura të nxjerra nga Vllaznia e dikurshme.

Megjithatë formula me ish-lojtarë që kthehen sërish për të dhënë kontributin e tyre në fushën e lojës, nuk po rezulton e suksesshme, ndryshe nga ajo me pozitë drejtuese. Bekim Balaj numëron vetëm një gol të shënuar në 16 ndeshje të zhvilluara me Vllazninë, madje edhe në atë rast realizoi nga 11-metrat kundër Partizanit.

Sulmuesi nuk është njohur ndonjëherë si lojtar që driblon, që merr përpara këdo i del para syve dhe që ka saktësi të frikshme para porte, mesatarisht realizon 4 gola në sezon. Arma e tij vetme ka qenë freskia fizike, duelet me trup dhe lufta në ajër. Të gjitha këto elementë humbasin me kalimin e viteve dhe për këtë arsye mosha 32-vjeçare duket si prag perëndimi për të.

Në Shkodër presin që Bekimi të kthehet, ata mendojnë se sulmuesi nuk është përshtatur ende dhe kërkon kohën e tij që të jetë pjesë e grupit në mënyrën e duhur. Por ndoshta, kjo mund të jetë panorama e ofruar nga ky element deri në fund.

Balaj nuk e ka më urinë e dikurshme për të bërë karrierë, është pa armën më të fortë, fizikun, që vjen duke u reduktuar me kalimin e viteve. Në shumë raste sulmuesit kur kalojnë në këtë moshë, përdorin më pak këmbët dhe më shumë kokën, trurin.

Megjithatë edhe në këtë drejtim Balaj ka lënë për të dëshiruar, goditjet e tij nuk kanë sjellë asnjë rrezik apo befasi për portierët kundërshtarë. I vetmi arsyetim i dalë në media që mbron Bekim Balajn është: “Vendos në presion mbrojtësit kundërshtar duke vrapuar kur ata kanë topin në zotërim”.

Shpeshherë parapëlqejmë një gënjeshtër të bukur para një të vërtetë të hidhur, por nuk është ky rasti. Të bësh presing në mbrojtësit kundërshtar nuk kërkon një cilësi apo aftësi ndryshe, mund ta bëjë kushdo, çdo lojtar që është pjesë e grup moshave të Vllaznisë.

Mjafton që trajneri t’i caktojë mbrojtësin ku sulmuesi duhet ta shqetësojë çdo herë me vrapim për ta vendosur në presion dhe puna kryhet me sukses. Por një afrim si Bekim Balaj nuk është marrë vetëm për të ecur në fushë.

Ndonjëherë dashuria më e madhe tregohet me vetë sakrifikim. Duke parë këtë situatë, ndoshta mund të ishte më e udhës që Balaj t’i hapte rrugën Kainës që është shumë herë më tepër produktiv. I pafuqishëm dhe tërësisht i dëshpëruar pa sesi Egnatia kaloi në finalen e Kupës së Shqipërisë, ashtu si edhe rënien në mesin e tabelës.

Është e qartë që Bekim Balaj nuk është më i ri. Sulmuesi 32-vjeçar, me siguri i sheh me zili djelmoshat e rinj që ka si kundërshtar, të cilët vrapojnë dhe janë të pa rritshëm, duke i kujtuar veten e tij në fillimet e karrierës në Shkodër. Në fund ka vetëm dy rrugë, ose Balaj duhet të rris marshin ose në të kundërt të ndalojë makinën, për të mirën e udhëtimit të Vllaznisë. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *