Eriksen është cilësuar nga specialistët e futbollit si një nga mesfushorët më të mirë në botë. Lojtari kaloi një periudhë mjaft të mirë tek ekipi i Totenhamit, por me ardhjen e Kontes si trajner tek Interi nuk mundi ta refuzonte një kalim tek zikaltërit. Eriksen kaloi në merkaton e janarit në Milano, për një shifër mjaft të arsyeshme, prej 16.9 milionë stërlinash.
Ndryshe nga çfarë pritej, Eriksen nuk mundi të gjente formën e duhur të tij dhe ka dështuar të tregojë klasin e vërtetë. Me largimin pothuajse të sigurtë të Antonio Kontes nga pankina e Interit, 28 vjeçari pritet të jetë futbollisti i radhës që do të lërë skuadrën “zikaltër”, vetëm 6 muaj pas transferimit të tij. Sipas medias kryesore në itali, Sport Mediaset, drejtuesit e Interit i kanë vendosur një çmim prej 60 milionë eurosh për skuadrat që janë të interesuara për shërbimet e lojtarit.
Pavarësisht çmimit që mund të shitet Eriksen, tifozët e ekipit presin që klubi i tyre i zemrës të afrojë futbollistë të klasit botëror për të synuar fitimin e titullit në sezonin e ardhsëm dhe jo të ndjekë politikat e skuadrave mesatare që kanë interes rritjen e të ardhurave nga lojtarët. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/