Elton Nika
Flamurtari krijoi një koloni braziliane gjatë kampionatit të fundit, por duket se vetëm sulmuesi Danilo Alvesh do të mbijetojë. Futbollisti në fjalë, i cili ka kontratë me klubin kuqezi, kërkohet edhe nga skuadra të tjera të Superiores, megjithatë e ardhmja e tij duket në qytetin bregdetar. Brazilianët e tjerë, Mauricio Leal, Lineker dhe Lukas Kanixha, ky i fundit ende nën kontratë me vlonjatët, janë thuajse të ikur nga Flamurtari. Kanixha ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me Flamurtarin, që e huazoi, por në muajin mars mesfushori u rikthye në Vlorë. Ai ka bërë vetëm stërvitje me skuadrën, sepse nuk mund të aktivizohej, duke mos qenë i federuar. E ardhmja e Kanixhës dhe dy brazilianëve të tjerë, mbrojtësit Leal dhe sulmuesit Lineker, pritet të mësohet shumë shpejt edhe zyrtarisht, por gjasat janë që ata të largohen. Gjatë këtyre ditëve lojtarët brazilianë janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit, duke shijuar pushimet në bregdet.
PAGAT – Qëndrimi i brazilianëve në Vlorë lidhet me çështjen e pagave, që ata nuk i kanë marrë. Sapo të likuidohen financiarisht, ata do të lënë Vlorën dhe do të udhëtojnë drejt Brazilit. Kështu, për momentin janë të “ngujuar” në qytetin e Vlorës. Mauricio Leal dhe Lineker nuk bindën me paraqitjet e tyre gjatë pjesës së dytë të kampionatit të fundit, pavarësisht aktivizimit si titullarë, kryesisht për mbrojtësin e qendrës. Me mbërritjen e tyre në Vlorë në muajin janar, dy brazilianët firmosën një kontratë deri në fund të sezonit, me opsionin për ta zgjatur edhe për një tjetër vit, por, sipas të gjitha gjasave, bashkëpunimi mes palëve nuk do të vijojë. Ashtu si gjithë lojtarët e tjerë të Flamurtarit, edhe brazilianët janë në pritje të pagave. Ata janë thuajse gjatë gjithë kohës bashkë, me përjashtim të Danilo Alveshit, i cili duket se është i vetmi brazilian, që do të vijojë të luajë për Flamurtarin edhe sezonin e ardhshëm. Nga sa duket, minimalisht edhe këtë javë këta lojtarë do të jenë në Vlorë. Në klubin vlonjat kanë bërë me dije se kalimi i pagave do të bëhet shpejt, por pa dhënë një datë të saktë. Vlonjatët nuk janë paguar që nga janari i këtij viti, për shkak të problematikës tashmë të njohur të kalimit të lekëve në bankë. Për Lukas Kanixhën, i cili është ka ende kontratë me Flamurtarin, do të vendosë vetëm trajneri Shpëtim Duro, por edhe ai ka pak mundësi të qëndrojë.
4 brazilianë
ishin pjesë e skuadrës vlonjate në kampionatin e fundit, sulmuesit Alvesh dhe Lineker, mesfushori Kanixha dhe mbrojtësi Leal. Vetëm i pari do të vazhdojë të luajë për Flamurtarin.