Të gjitha në një natë, në Madrid tani flitet për krizë

Real-Betis, rasti i duhur për Ronaldon që të zbraste nervat e pezullimit të gjatë, rasti i artë i Realit për të kaluar Santosin, duke shënuar për të 74-tën ndeshje rresht.

Nuk ndodhi asgjë prej atyre që priteshin. Sanabria, produkt katalan, futi në kolaps një Real që në fakt për 90 minuta ishte konfuz, i rrëmujshëm, pa ide të qarta dhe nën presionin e një stadiumi të paduruar, që kërkon gjithnjë lojë, spektakël, gola e fitore. Humbje e rëndë, nga ato që mbahen mend gjatë dhe ndryshojnë një sezon, ndaj Florentino Perez zhvilloi një mbledhje urgjente në dhomat e zhveshjes. Barça është +7 që tani, një çmenduri, po të mendosh që para një muaji Reali e mundi lehtësisht në dy ndeshje Superkupe dhe atëherë flitej për kaos te Barça dhe për një Real pa rivalë në botë.

Duhet reagim i fortë, duhet Ronaldo në maksimum, por mbi të gjitha një skuadër që të rigjejë qetësi dhe dëshirë për të luajtur futboll. Duhet edhe një tifozeri pak më e duruar, por ky është një problem i vjetër, që zgjidht vetëm me… fitore e spektakël!

Zidan: Problem ishte vetëm topi që nuk hynte

Trajneri i Real Madridit, Zinedin Zidan, theksoi se problemi i djeshëm ishte vetëm goli, asgjë tjetër. Sipas tij, topi nuk donte të hynte dhe kaq. “Ky është futbolli. Kur topi nuk dëshiron të hyjë në portë, ndodh kjo. Bëmë një ndeshje të madhe, por edhe një ndeshje të keqe. Patëm raste, por topi nuk donte të hynte, sidomos këtu, në fushën tonë. Qetësi, gjithsesi, sepse na pret një rrugë e gjatë. Nuk mendonim se do të ishte kështu, por mund të ndryshojmë duke filluar që nga ndeshja tjetër, ku duhet të luftojmë fort për të fituar. Ronaldo në ankth? Jo, fare. Përkundrazi, krejt e kundërta. Jemi të kënaqur që e kemi në fushë. Fjalët e presidentit Perez në dhomat e zhveshjes? Ai u jep shpirt lojtarëve, diçka që u nevojitet aktualisht”, – u shpreh francezi pas ndeshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *