Përse jemi kaq të pafat? Një pyetje që mund të shtrohet vecanërisht pas deklaratës së fundit të ardhur nga mediat serbe. Sipas tyre, përgatitësi i portierëve te Serbia, u shpreh se ishin përgatitur për Kristjan Asllanin që të godiste dhe jo për Rei Manajn. Madje portieri Petrovic zgjodhi të njëjtën krahë sic ishte studiuar për Asllanin dhe në fund e priti penalltinë. I ftuar në Real Story me Sokol Ballën ishte Ledio Pano, rekordmen botëror për penalltitë, 50 herë nga 11 metrat dhe 50 herë ka shënuar. Për këtë arsye, fjala e tij ka shumë peshë në këtë moment dhe sipas Ledio Panos, edhe Zoti e dënoi pak Manajn.
“Teknika e goditjes ishte e gabuar. E kishte kokën poshtë? Nuk ka problem, do të shohësh topin dhe në mendje e ke portën se ku është dhe ku do ta cosh topin. Unë ashtu i kam goditur penalltitë e mia, me kokën ulur. Ishte i pavendosur Manaj, pavarësisht se kishte dëshirën për të dalë përpara dhe ndonjëherë të dënon edhe Zoti që ti do të bësh një gjë të madhe, por mundësitë nuk i ke. Të paktën për momentin, sepse Manaj ka shënuar nga penalltitë, por fizikisht nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore. A doni të flasim drejtë? Unë e dija që në fillim, që kur mori topin që me 90% do ta humbiste atë penallti. Do ta humbiste sepse donte të tregonte që jam unë këtu, që unë do të shënoj”, tha Ledio Pano. /Sport Ekspres/