“Derbi nuk është për t’u luajtur, por për t’u fituar”! Me këtë shprehje që e kemi dëgjuar në shumë raste në Shqipëri, prag Tirana-Partizani, është paraqitur edhe Igli Tare gjatë intervistës përpara ndeshjes mes Lacios dhe Romës.Brenda kësaj fraze ekziston e vërteta e madhe pasi paracakton vazhdimësinë për humbësin dhe fituesin. Dikush dërgohet në humnerë dhe tjetri përfundon në qiellin e shtatë. Te ekipi i Lacios kishin shpërthyer polemikat dhe konfliktet mes drejtuesve, atje ku trajneri Inzagi ishte duke përgatitur valixhet.
Presidenti Lotito nuk po falte më asgjë pasi ishte duke parë sesi po i rrëshkiste situata nga duart. Por fitorja e arritur nga ana e Lacios kundër Romës ka ndryshuar gjithçka sa i përket entuziazmit në skuadër. Menjëherë presidenti i klubit i ka paraqitur rinovimin Inzagit. Nuk do të ndalet këtu pasi sipas mediave italiane, një letër që kërkon hedhjen e firmës për të zgjatur bashkëpunimin i është ofruar edhe Igli Tares.
Për këtë të fundit ka pasur shumë kritika në këtë sezon që lidheshin kryesisht me “dështimin” për transferimin e Vedat Muriqit, pasi sulmuesi shqiptar nuk e ka realizuar ende golin e parë në Serie A. Tonet janë ngritur ndaj Igli Tares edhe nga ana e presidentit Lotito, ndërsa gjithçka ndryshon falë fuqisë së derbit. /Sport Ekspres/