Goglat e kanë vendosur Lacion në grupin K së bashku me Nicën e Balotelit, Zulte Varegemin e Piter Olainkës – ‘ish’ i Skënderbeut – dhe Viteshen e Milot Rashicës. Një short i pranueshëm për ekipin e Tomas Strakoshës dhe Igli Tares. Drejtori i klubit nga Roma e ka cilësuar si të rrezikshëm shortin nëse Lacio nuk do të impenjohet sa duhet në këtë kompeticion.
“Mendoj se do të jetë një grup kompetitiv, por ne e nisim si favoritë. Por nuk duet të harrojmë se nuk ka grupe të lehtë, tashmë diferenca mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve në këtë kompeticion është ngushtuar. Por në përgjithësi nuk mund të qahemi nga shorti, ai ka qenë i pranueshëm”- ka thënë drejtori Igli Tare.
Ish-lojtari i Lacios, tashmë në rolin e drejtuesit ka llogaritur Nicën e Balotelit dhe Uesli Snajderit si rivalin më të fortë në grup. “Nica vjen nga play-off-i në Ligën e Kampioneve ku u eliminua nga Napoli. Mendoj se do të shijojmë dy ndeshje tepër të luftuara. Edhe dy ekipet e tjera kanë cilësi. Zulte ka qenë surpriza e kampionatit të kaluar në Belgjikë, ndërsa përgëzime meriton dhe Viteshe që vjen në këtë kompeticion si fituese e kupës së Holandës dhe që luan një futboll të këndshëm”- ka thënë drejtori Igli Tare.