Skuadra e Mamurrasit nuk është paraqitur sot në “Liri Ballabani” për të luajtur ndeshjen e radhës me skuadrën e Klosit, megjithëse Federata e Futbollit dhe skuadra vendase kishin marrë të gjitha masat për zhvillimin e saj. Fusha ishte mirëpërgatitur, efektivët e Policisë kishin populluar të gjitha mjediset e stadiumit, shëndetësia kishin sjellë ambulancën dhe prefektura zjarrfikësen.
Gjashtë zyrtarë të FSHF-së, drejtuesit dhe futbollistët e Klosit dhe dhjetra tifozë kanë pritur 45 minuta skuadrën mike e cila nuk udhëtoi drejt qytetit të Burrelit. vëzhguesi Pjetrushi, delegate Laçi dhe treshja e gjyqtarëve kryen “ritin” e tyre, rreshtuan skuadrën e Klosit, shtrënguan duart mes tyre, ekzekutuan topin nga mesi i fushës dhe sinjalizuan fillimin e ndeshjes. Është dashur vetëm një shkelmim topi dhe kryesori Shabani “njoftoi” me vërshëllimën e tij mbylljen e “takimit” Klosi-Mamurrasi. Zyrtarët e FSHF-së nuk thanë çfarë vendimi do të merret nga strukturat e Federatës por lanë të kuptohet se Mamurrasi me këtë veprim të përsëritur dha lamtumirën Kategorisë së Dytë.