Nëse dëgjojmë emrin Arton Zekaj, normalisht që mendja të shkon se bëhet fjalë për një lojtar shqiptar, megjithatë në rastin konkret po flasim për një sportist, i cili ka lindur në Beograd. Ndonëse është me origjinë shqiptare, 18-vjeçari ka qenë pjesë e moshave të Serbisë, duke mbajtur dhe shiritin e kapitenit dhe duket mjaft i bindur se vendi i tij është Serbia.
Gjithsesi, mesfushori ka pasur ftesë edhe nga Federata e Kosovës, por lojtari, i cili është grumbulluar nga skuadra e Lilës në Francë, pret Serbinë. Në një intervistë për “Kurir.rs”, Zekaj tregon se ai do të zgjedhë përfaqësuesen që e do, në rast se nuk vjen ftesa nga Serbia.
“Është e vërtetë që unë kam qenë kapiten te moshat e Serbisë dhe nuk e di se pse nuk po grumbullohem më. Nuk di se çfarë të them për këtë situatë. Unë jam i hapur, por trajneri nuk më ka telefonuar.”
“Nuk e di se pse është krijuar kjo situatë. Në një rast trajneri Ilija Stolica më tha që do të grumbulloj, më pas më njoftoi se do të provonte disa lojtarë të tjerë.”
“Mua më ka telefonuar dhe përfaqësuesja e Kosovës, e cila është interesuar nëse unë dua që të luaj për ata. Unë do të luaj për skuadrën që më do më shumë. Unë dua që të vazhdoj me atë ekip që e kam nisur, por nëse nuk duan, nuk është në dorën time.”
Nëse do të kishit një mundësi edhe nga Kosova ashtu dhe nga Serbia? “Unë dua që të luaj për Serbinë, pasi këtu kam lindur, jam rritur. Nëse vendi im nuk do që unë të luaj për këtë skuadër, atëherë unë do të luajë për përfaqësuesen që më do“, përfundon mesfushori 18-vjeçar.