Taku: Start i shkëlqyer, fantastike ta mbyllnim pa humbje!

Mesfushori që luan edhe sulmues krahu ka shënuar 4 gola për Skënderbeun dhe po tregon një formë të mirë. Në Vlorë beson për fitoren e radhës

Leonard Trebicka

Skënderbeu është nga ekipet ë dallohen për merkaton e kujdesshëm që bën vit pas viti. Në verë ka afruar disa lojtarë me kualitet dhe njëri prej tyre është Afrim Taku, i cili më parë është aktivizuar me Tiranën. Trajneri Ilir Daja e njeh shumë mirë dhje nuk u mendua dy herë për ta marrë te Skënderbeu. Taku është paraqitur shumë mirë deri tani, madje është shfaqur edhe si golashënues, pasi ka shënuar 4 gola në kampionat. Taku ka luajtur në të djathtë të sulmit, si te Tirana, por edhe në qendër të mesfushës. Në një intervistë për “Sport Ekspres” ai shprehet me superlativa për ekipin ku bën pjesë dhe që në fund beson se do të shpallet kampion.   

– Taku një fazë e parë shumë e mirë me Skënderbeun. Si e shikoni këtë skuadër, që ka thyer çdo rekord?

– Po, ka qenë një fazë e parë fantastike. Shpresoj të mbajmë të njëjtin ritëm, pa u kujtuar se çfarë ka ndodhur deri tani. Me pak fjalë, të marrim me seriozitet çdo ndeshje hap pas hapi dhe me qetësi.

– E menduat kur latë Amerikën për të veshur këtë fanellë se do të gjenit një skuadër të tillë?

– Më parë kisha përshtypjet më të mira për Skënderbeun, duke marrë parasysh edhe grupin e lojtarëve me përvojë që ka në skuadër. Të them të drejtën, e dija që do të kishte cilësi përpara se të vija.  

– Katër gola deri tani për Afrim Takun. Mos ndoshta do të pretendoni edhe ju të jeni në majën e listës së golashënuesve?

– Jam shumë i kënaqur për golat që kam shënuar dhe këtë nuk e fsheh në asnjë moment, por më i kënaqur jam për fitoret që merr skuadra. Sigurisht, gëzimi është më i madh kur fitoret vijnë nga golat e mi.

– 541 minuta aktivizim në 9 ndeshjet e para të kampionatit…

– Për mua çdo minutë është emocionuese. Kënaqësia ka qenë më e madhe sidomos ndeshjet që fillonin me gol dhe i mbyllnim me shumë gola diferencë. Ka pasur po aq shumë adrenalinë dhe kur e fillonim në disfavor dhe arrinim të dilnim nga fusha superiorë. Ky ekip di si të qëndrojë i qetë dhe i fokusuar deri në fund.  

– Cila mendoni se do të jetë skuadra që mund t’ju ndalë?

– E vërteta është se çdo skuadër luan fort kundër Skënderbeut.  Ne futemi në fushë me mentalitet fituesi, me qëllimin për ta mposhtur kundërshtarin, kushdo qoftë ai.

– Jeni të shkëputur 7 pikë nga ndjekësi më i afërt dhe më shumë nga të tjerët. Çfarë do të thotë kjo diferencë për ju?

– (Qesh). Të them të drejtën, më pëlqen shumë kështu siç jemi, ta mbyllim kampionatin pa asnjë humbje, edhe pse është pak e vështirë.

– Po për Europa League dhe përfaqësimin dinjitoz në këtë kompeticion, cili është komenti juaj?

– Skënderbeu e ka përjetuar edhe më parë eksperiencën europiane dhe kjo na ka ndihmuar goxha këtë sezon. Deri tani ka qenë një përfaqësim dinjitoz, por të gjithë duam diçka më shumë që të kënaqemi plotësisht. Gjithsesi, të mos flasim përpara kohe dhe le t’ia lëmë më shumë fushës.  

– Ka shanse ende për të kaluar grupin?

– Natyrisht që është e vështirë, por shanset ekzistojnë ende. Për aq kohë sa e lejon matematika, do të besojmë dhe do të bëjmë gjithçka në ndeshjet e mbetura.

– Tiranën, ekipin e “zemrës”, ku keni luajtur për vite me radhë, e keni ndjekur?

– E kam thënë edhe më parë se për Tiranën kam vetëm fjalë të mira, sidomos për tifozët. Shpresoj të ngjitet sa më shpejt në Superiore. E kam ndjekur dhe mendoj se do të ngjitet patjetër në elitë.   

– Me Skënderbeun po kaloni momente shumë të mira për karrierën tuaj…

– Për mua është kënaqësi të luaj me Skënderbeun. Gjithsesi, për një lojtar është e rëndësishme që asnjëherë të mos mjaftohet me aq sa ka arritur, por të kërkojë maksimumin nga vetja e tij.

– Ka ndonjë sekret ky Skënderbe?

– Të them të drejtën, nuk është fjala për ndonjë sekret, sepse gjithçka duket qartë. Merita u takon të gjithëve, që nga presidenca, stafi teknik, lojtarët, tifozët dhe deri te punëtorët e fushës.   

– Së fundi, si e shikoni startin e fazës së dytë në Vlorë, ndaj Flamurtarit?

– Qëlloi mirë që kishim pak pushim, sepse ndeshjet kanë qenë të shpeshta dhe Skënderbeut i është dashur të përballojë ndeshje të forta në afat të shkurtër kohor. Jemi gati të fillojmë fazën e dytë dhe shpresojmë të shkëputemi më shumë nga vendi i dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online