Taku bëhet çështje serioze, s’dihet kur kthehet në ekip

Kryeqytetasi jo vetëm që humbi fazën përgatitore në Turqi, por tani askush nuk e di kur ai do t’i bashkohet Skënderbeut

Mesfushori kryeqytetas i Skënderbeut, Afrim Taku, vazhdon të jetë “peng” i dokumenteve në Amerikë, ku ndodhet prej kohësh. Vonesa e tij e shqetëson jo pak trajnerin Ilir Daja, duke ditur gjendjen aktuale të ekipet dhe faktin që Taku i hyn në punë në çdo rast, sepse bën mesfushorin e qendrës, mbrojtësin e djathtë, por edhe sulmuesin anësor. Në ndeshjen me Luftëtarin ai mund të ishte në formacion, por nuk është kthyer ende nga Amerika. Më e keqja është se as vetë mesfushori nuk e di kur do të bashkohet me skuadrën, pasi nuk e di kur do të pajiset me dokumentacionin që pret. Në një prononcim për “Sport Ekspres” pak ditë më parë Taku bëri të ditur se pret një lajmërim nga shteti amerikan për rinovimin e “greencard”-it, por nuk e dinte me saktësi sa do të zgjasë kjo procedurë. Ka kaluar thuajse mbi një muaj që mesfushori ndodhet në Amerikë dhe tani çështja është bërë serioze, sepse Skënderbeu nuk ka në dispozicion një lojtar të rëndësishëm. Trajneri Ilir Daja është në pritje të një njoftimi nga lojtari për datën e rikthimit, që po vonon shumë.

Situata është bërë deri diku alarmante, sepse aktualisht janë disa mungesa, me në krye atë të sulmuesit Soue. Skënderbeu bëri vetëm dy blerje në merkaton e dimrit, Vilën dhe Krasniqin, ndërkohë që u larguan Shkodra dhe Nespor, por edhe janë huazuar lojtarë si Lulaj, e Kelmendi. Duke shtuar këtu edhe dëmtimin e Sahitit dhe mungesën e Gripshit, gjendja te korçarët nuk është aq e mirë. Pavarësisht se kontigjenti i lojtarëve është i madh, duhen lojtarët me përvojë,pasi ata bëjnë diferencën në një skuadër me pretendime madhore siç është Skënderbeu.

Taku jo vetëm që ka luajtur thuajse rregullisht në pjesën e parë të sezonit, ku numëron 1171 minuta, por ka shënuar edhe 5 gola me fanellën bardhekuqe. Kur do të rikthehet Taku? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i japë përgjigje as ai vetë. Ajo që dihet është se mungesa e tij i prish shumë punë trajnerit Ilir Daja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online