Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka komentuar për RTSH triumfin e radhës në Shqipëri, ndërsa ka folur edhe për të ardhmen e Skënderbeut.
“Ka qenë një sezon i shkëlqyer, kemi dominuar nga fillimi deri në fund. Humbja ndaj Vllazninë? Ishte një ndeshje për rezervat dhe për të rinjtë, në ndeshjet e fundit kush ka dashur të tregojë sa vlen ka zbritur në fushë dhe ata që nuk na kanë bindur do të largohen, duke qenë se nuk e treguan veten.
“Fitoret më të bukura? Ato në Europë, u bindëm që kemi ekip të aftë të bëjë gjëra të mëdha.
“Daja do të qëndrojë te Skënderbeu, nuk është vënë asnjëherë në diskutim.
“Skënderbeu ka vite që ka skuadra shumë cilësore, edhe para dy vitesh shkuam në grupet e Europa League, por eksperienca është më e madhe dhe për këtë arsye kemi pasur rezultate kaq të mira.
“Beteja me UEFA-n në CAS? Është një betejë e gjatë, dosja është voluminoze dhe CAS ka punë voluminoze. Shanset janë të mëdha që dënimi ynë të anulohet. Nesër dorëzojmë dosjen në CAS dhe jemi të bindur se do të vijojmë të luajmë në Champions League.
“Gjoba 1 milion euro nga UEFA? Dënimi i Skënderbeut është i përbashkët, 10 vite dhe gjoba, nuk ndahen. Afati i pagesës së gjobës nuk ka vlerë, për sa kohë nuk ka dhënë vendim CAS-i. Vetëm pasi të vijë vendimi nga CAS-i, bëhet llogaritë.
“Kupa? Sot festojmë, do të festojmë gjatë, ndërsa që nesër nis përgatitja për kupën, sepse i kemi shkuar pranë, por nuk e kemi fituar asnjëherë. Shpresoj të jetë momenti i duhur për të festuar edhe kupën që na mungon”.