“Takaj kishte ikur para kohe”, Josa flet për të gjitha: Titull nëse “vret veten” Vllaznia, Egbo u largua me plan

Mirel Josa ka debutuar me fitore në stolin e Kukësit. Verilindorët ia dolën në shifrat 0-4 kundër Skënderbeut, duke marrë tre pikët që i japin më tepër optimizëm lojtarëve pas gjithë situatës së vështirë që është kaluar në periudhën e fundit në Superiore.

I ftuar në “Zona Gol”, trajneri i njohur ka folur për gjithçka. Për ta nisur që nga kjo eksperiencë e re, atje ku theksohet se titulli kampion nuk është objektivi i tij në momentin që ka hedhur firmën. Ndërkohë kur hapet tema e Tiranës, Josa është surprizuar nga mënyra sesi është larguar Nevil Dede, pasi largimi i Egbos konsiderohet me plan.

“Që ta njohësh një ekip nuk duhet që ta shohësh vetëm nga televizori, por ta shohësh nga brenda. Kështu mund të shohësh aftësitë e lojtarëve më afër, marrëdhëniet e futbollistëve me njëri-tjetrin, po ashtu edhe drejtuesit. Me presidentin e Kukësit kam folur shumë pak, më tepër kam komunikuar me Nexhipin. Bashkëpunimi me Nderimin do ta bëjë skuadrën shumë më të mirë në vazhdimësi. Diferenca me Vllazninë? Vetëm nëse Vllaznia “vret veten” që ta kalojmë ne të tjerët.

Gjicin nuk e kam takuar pas ndeshjes me Skënderbeun. Takaj duhet të vinte që të më takonte mua, e kam kërkuar, por kishte ikur më shpejt më duket. Më është kërkuar Kupa e Shqipërisë dhe përparimi në Europë, jo që të fitohet titulli me patjetër.

Ajo që më ka surprizuar nga ndërrimi i trajnerëve ishte largimi i Nevil Dedes. Nga mënyra sesi iku mund të themi se është kuptuar se nuk funksionon klubi i Tiranës, nuk dua të merrem më shumë. Ikja e Egbosë ishte llogaritur më përpara. Bëhen plane që ta zbatosh në momentin e duhur. Ka njerëz që duan të drejtojnë nga mbrapa shpine”, ka thënë Josa. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *