Takaj ia jep trofeun ekipit, 50 milionë premio për Kupën

 

Presidenti Takaj ka vendosur që lojtarët e Skënderbeut të shpërblehen me vlerën që ka Kupa e Shqipërisë, nëse fitojnë sot në Elbasan Arena

FSHF-ja jep 50 milionë lekë për ekipin që fiton trofeun e Kupës së Shqipërisë. Kjo shifër është akorduar nga presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, në rast fitoreje nga të tijtë në ndeshjen e sotme në Elbasan Arena. Një shifër e lartë kjo për një ndeshje, që nuk është se ka ndonjë rëndësi aq të madhe për objektivat e sezonit, duke qenë se korçarët kanë siguruar titullin dhe presin të fitojnë zyrtarisht të drejtën për të marrë pjesë në Champions League nga CAS-i.

Presidenti Takaj ka vënë gjithmonë shpërblime, sidomos në ndeshjet europiane, por këtë radhë e ka lëshuar dorën edhe për finalen e Kupës së Shqipërisë. Gjatë festës së titullit ai disa herë ka theksuar se ky është sezoni i duhur që Skënderbeu të fitojë të dy trofetë, ndaj dhe për ta plotësuar ambicie të tij ka vënë shpërblimin e majmë.

Takaj e ka konfirmuar dje për Sport Ekspres akordimin e shpërblimit prej 50 milionë lekësh, duke ua lënë kështu shpërblimin teknik të trofeut futbollistëve të ekipit. Tani e kanë në dorë këta të fundit dhe shpërblimi në fjalë është një motivim më shumë për ta, që të shtojnë në palmaresin e Skënderbeut edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, si dhe në xhepat e tyre një shumë të konsiderueshme parash para pushimeve të verës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *