Takaj buzëqesh në fund, Gjici “shfryn” pas humbjes në Korçë

Absolutisht që një ndeshje si kjo mes Skënderbeut dhe Kukësit do të prodhonte shumë të veçanta, ndërkohë që ato që nuk janë parë në televizor i sjell gazeta një për një me momentet më të veçanta nga stadium “Skënderbeu”:

– Pak më shumë se 2 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadiumin “Skënderbeu” në ndeshjen e djeshme, ky numër i konfirmuar nga kompania private që merret me shitjen e biletave.

– Diku rreth 30 tifozë nga Kukësi kishin udhëtuar për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës mbrëmë në stadiumin “Skënderbeu”, teksa ishin vendosur në tribunën E, madje kishin shpalosur edhe pankartën e tyre të zakonshme “Mërgata”.

– Përveç pankartës gjigante ultrasit e Skënderbeut dje kishin shpalosur edhe një banderolë të re ku shkruhej “Ilir Daja strategu i kampionëve”, banderolë e cila në fakt vinte pas thashethemeve në mesditën e djeshme, sipas së cilave Daja kishte problem me drejtuesit dhe fati i tij varej nga fitorja ndaj Kukësit.

– Tribuna qendrore e stadiumit juglindor ka qenë e tejmbushur, ku nuk kanë munguar presidentët respektivë. Presidenti i Kukësit Safet Gjici mbërriti rreth 30 minuta përpara fillimit, ndërkohë që menjëherë u vendos në tribunën qendrore atje ku ka qëndruar me shoqëruesit. Nga ana tjetër presidenti Ardjan Takaj edhe ai ka qenë i shoqëruar nga drejtues të tjerë të klubit të tij, por që të dy bashkë e kanë ndjekur ndeshjen nga fillimi në fund.

– Në tribunë nuk munguan as kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, dy ish-deputetë, Ridvan Bode dhe Gjergji Papa, Drejtori Sportiv, Haris Fakiç, por edhe personalitete të shumtë.

– Presidenti Safet Gjici dhe presidenti Ardjan Takaj kanë qëndruar së bashku në 15 minutat midis të dy pjesëve në dhomën e presidentit Takaj, madje kanë shkëmbyer edhe ndonjë batutë mes njëri-tjetrit.

– Ali Soue vetëm në momentet e fundit përpara fillimit të takimit është mësuar që nuk do të jetë në fushë për shkak të një problemi në pulpë, ndërkohë që kjo mungesë ka sjellë një “lëmsh” te formacioni, pasi u zëvendësua Osmani nga Nimaga, ndërkohë që Xhejms luajti në majë të sulmit dhe Taku u fut për të qenë në krahun e djathtë.

– Në pushimin mes dy pjesëve ka qenë portieri i dytë i Kukësit, korçari Stivi Frashëri që pati një debat të madh me tifozët në tribunën qendrore. Më pas gjithçka është qetësuar edhe pse në fakt Frashëri është parë i inatosur.

– Një tifoz “i çmendur” mund të quhet ai i Kukësit, i cili në pushim ka kapërcyer kangjellat e tribunës E dhe është hedhur në pistë teksa destinacion kishte tribunën e ultrasve të Skënderbeut. Kanë ndërhyrë menjëherë uniformat blu që e kanë kapur dhe e kanë shoqëruar tifozin që nuk dihet se ç’farë “çmendurie” kishte në mendje për të bërë kur përpara kishte një “mal” me uniforma blu.

– Sapo gjyqtari Juxhin Xhaja ka vërshëllyer, presidenti Safet Gjici i Kukësit ka dalë menjëherë nga stadium dhe dukej më shumë se kurrë i mërzitur me skuadrën e tij, ndërkohë që ka shkëmbyer disa fjalë me miqtë që e rrethonin dhe ka hipur makinën duke u larguar nga Korça.

– Përkthyesi që shoqëronte trajnerin Milinkoviç të Kukësit, pas përfundimit vazhdimisht është parë me kronometër në dorë duke u ankuar se ndeshja përfundoi 2 minuta përpara, por më pas ka mësuar se takimi ka përfunduar me çdo minutë të saktë, të luajtur edhe pas katër minutave shtesë.

– Skënderbeu pas kësaj fitoreje shkëputet edhe më shumë në krye të Superligës, ndërkohë që skuadra më e afërt që e ndjek është Kamza me 8 pikë prapa.

-Në tribunën qendrore të stadiumit “Skënderbeu” si rrallë herë dje ka munguar zëvendëspresidenti i Skënderbeut, Arlind Boshku. Për disa punë të tij private Boshku ndodhej në Çeki, ndërkohë që është e sigurt që e ka ndjekur nga televizori fitoren e mbrëmshme të Skënderbeut. Pas fitores me kuksianet Boshku ka postuar këtë foto me renditjen e Superligës duke shkruar këto fjalë: “+8 nga Kamza. Urime Skënderbe”. Ky një urim më shumë se special që vinte nga zëvendës presidenti Arlind Boshku nga Zvicra për gjithë ekipin korçar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online