Ish-mbrojtësi i njohur i vlonjatëve: Sot futbolli është biznes dhe nuk paragjykoj, por disa vlonjatë më shumë do t’i jepnin më shumë shpirt skuadrës
Elton Nika
Dy javë kampionat dhe është ende shpejt për të përcaktuar me saktësiu forcën e skuadrave, por ky Flamurtar duket në rrugën e duhur. E pranojnë edhe specialistët e futbollit në Vlorë, ish-lojtarët e Flamurtarit. “Natyrisht, ka ende vend për përmirësim, ndërsa ne, si ish-lojtarë të kësaj skuadre, duam që Flamurtari të kapte Europën, por…të kishte disa vlonjatë më shumë në skuadër”. Është ky mendimi i ish-mbrojtësit të Flamurtarit dhe kombëtares shqiptare, Rrapo Taho. Në dy javët e para skuadra ka arritur të marrë një fitore dhe një humbje, ndërsa përpara është sfida me Teutën në transfertë.
DY JAVË – “Janë vetëm dy javët e para dhe është ende shpejt për të përcaktuar gjithçka, por nga ajo çfarë kemi parë, skuadra duket në rrugën e duhur. Mendoj se trajneri Duro, veç dy ndeshjeve të para, do të dijë që edhe në vijim të marrë maksimumin nga kjo skuadër. Natyrisht, e kam përgëzuar për fitoren me Lushnjën, por jemi ende në dy javët e para dhe ka shumë përpara, pasi skuadra nuk është kolauduar. Në Korçë luhej përballë Skënderbeut dhe çdo rezultat ishte i pranueshëm. Natyrisht, ndikuan disa faktorë për atë humbje, ndërsa fitorja me Lushnjën ishte një fitore karakteri. Flamurtari luajti me 10 lojtarë dhe ishte në disavantazh, ndaj e vlerësoj shumë atë fitore”
OBJEKTIVI – I pyetur më tej se çfarë mund të bëjë ky Flamurtar këtë sezon, Taho shprehet: “Është bërë një punë e madhe në fazë përgatitore. Stafi pati kohën e mjaftueshme për të punuar, duke u grumbulluar në dy faza përgatitore me nga 15 ditë. Pra, ka qenë mundësia që të arrijë çdo lojtar gjendjen më të mirë të mundshme, sepse u zhvilluan edhe ndeshje miqësore. Objektivi? Me sa dimë, janë Kupat e Europës dhe shpresoj të arrihet ky objektiv, pra që Flamurtari të jetë në Europë, por ka ende shumë punë përpara. Flamurtari mund të përmirësohet, sepse është një grup i ndryshuar nga sezoni i kaluar. Natyrisht, lojtarët duan kohën e mjaftueshme për të arritur në nivelet që kërkohet. Ndryshimet e shpeshta në skuadër kanë efektet e tyre dhe duhet koha e nevojshme. Megjithatë, besoj se skuadra është në rrugën e duhur, të presim.”
TEUTA – Në fundjavë luhet përballë Teutës dhe për këtë ndeshje Taho thotë: “Një ndeshje derbi e kemi cilësuar gjithmonë, derbi i bregdetit. Do të jetë shumë e vështirë. Me Teutën kemi pasur rivalitet, në lojë kanë qenë gjithmonë të tre rezultatet. Por Flamurtari ka ditur të fitojë në Durrës, ndaj nuk e përjashtoj aspak të ndodhë edhe këtë radhë. Eshtë më e vështirë, duke parë se Teuta vjen nga dy fitore radhazi. Flamurtarin e duam në majat e futbollit shqiptar dhe për këtë i nevojiten edhe fitore jashtë fushe. Sot futbolli është biznes dhe nuk duhet paragjykuar asgjë, por mendoj se disa vlonjatë më shumë në skuadër do t’i jepnin më shumë shpirt asaj. Besojmë shumë te puna e Duros”.