Sulmuesi do t’i bashkohet skuadrës me ritëm të plotë. Starova do ta gradojë si titullar të rëndësishëm të ekipit të tij
Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, dha një lajm të mirë për tifozët e kuq në konferencën para ndeshjes me Flamurtarin, por e përsëriti edhe pas humbjes së ndeshjes. Numri një i stolit u shpreh hapur se sulmuesi Edgar Çani do t’i bashkohej skuadrës me ritëm të plotë. Ai ka kryer fazën e reahibilitimit në Itali dhe tashmë do të kthehet në kryeqytet. Interesi për të vazhdon të jetë i madh, pasi nga një “yll” që do të merrte përdore Partizanin është kthyer në një bast të mirëpaguar. Lojtari pritet krahëhapur nga trajneri Sulejman Starova, pasi mungesa e një sulmuesi është kthyer në një stres të vazhdueshëm për skuadrën e tij. Ndeshja në Vlorë kundër Flamurtarit vuri në pah edhe njëherë faktin që të kuqtë nuk kanë një pykë të mirëfilltë, pasi 62-vjeçari aktivizoi nga minuta e parë Jurgen Bardhin dhe Gerhard Prognin. Mungesa e një pike referimi ndikoi te loja e kryeqytetasve, pasi zgjidhja e vetme për ta mbeti topi i gjatë dhe kundërsulmi, një taktikë që nuk u finalizua me sukses. Humbja ishte e hidhur.
ÇANI – Sulmuesi erdhi në verë si afrimi më i goditur që mund të jetë bërë në ndonjëherë në Superioren shqiptare, por zhgënjeu shumë shpejt. Problemet me gjurin e lanë në baltë. 2-3 seanca me grupin e lojtarëve dhe problemet me gjurin, ënjte të papritura dhe therje të mëdha. Pas çdo seance vendoste akull dhe klubi i kuq u mundua të fshehë dëmtimin, deklarata të nxitura mediatike dhe përgënjeshtrime të pakuptimta. 28-vjeçari i zënë në presion nuk kishte asnjë alternativë tjetër vetëm ta sakrifikonte deri në fund. Ai luajti në ndeshjen kundër Skënderbeut dhe Kukësit dhe u kthye në infermierin e skuadrës. Nuk ia dilte më mbanë, operacioni kishte shkuar keq dhe faza e rikuperimit akoma më keq. “Demat” e humbën, ndërkohë që rroga e tij ishte e frikshme. 1 muaj inkurajim dhe në fund, luftë e hapur mes palëve. Çani humbiste shumë ndeshje dhe kur do të kthehej do të ishte bast i rrezikshëm, prandaj zgjidhja më e mirë ishte ta largonin. Moxhi nisi me ultimatumet, por ishte e kotë, pasi futbollisti nuk pranoi largimin, kontrata e tij e mbronte. U bë ashtu si donte Çani, por a do të bëhet si do Starova tani?
SHPËTIMTAR – Partizani ka nevojë për dorën e Zotit në këto momente, por a mund ta bëjë Çani, atë? Të kuqtë shpresojnë që po, ndërsa basti është shumë i rrezikshëm, më shumë se sa gjendet Mesia te Çani, sulmuesi e sheh shpëtimin te skuadra e kuqe. Ai mund të fitojë minuta dhe të kapë formën e tij më të mirë.
Abdurahimi i Partizanit, mungon prezantimi
Mosprezantimi i sulmuesit, Besart Abudrahim, ditën e djeshme ngjalli çudi. Lojtari dhe të kuqtë kanë arritur marrëveshjen dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Futbollisti do t’i bashkohet skuadrës shumë shpejt në stërvitje, pasi Starova e ka pjesë të rëndësishme të planeve të tij. Ai kërkon ta përshtatë me grupin në mënyrë që ta ketë gati sa më shpejt, por mbetet të hidhet edhe firma në kontratë. Gjithçka është e mbyllur, vetëm nëse ndodh ndonjë e papritur e madhe.