Juventusi ka bërë një goditje surprizë duke kthyer në Torino mbrojtësin uruguaian Hoze Martin Kaseres. “Sky Sports” raporton se Lacio ka rënë dakord ta lëshojë 31-vjeçarin në këmbim të 600 mijë eurove.
Kjo lëvizje “blic” e skuadrës së Alegrit vjen si pasojë e situatës së mbrojtësit maroken, Mehdi Benatia, i cili pritet të largohet, pasi për të ka ardhur një ofertë milionere nga kampionati i Katarit.
Mbrojtësi 31-vjeçar, ka qenë pjesë e Juves për pesë sezone nga viti 2011 deri në vitin 2016, periudhë në të cilën ka kryer me sukses detyrat e tij edhe pse asnjëherë nuk arriti të fitonte vendin e titullarit.
Kaseres është një lojtar, i cili shquhet për aftësinë e tij për të luajtur në të gjitha pozicionet e mbrojtjes, si në qendër, por edhe në të dyja krahët.