Në një dekor fantastik në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, Superkupa e Kosovoës mes Dritës dhe Prishtinës ka përfunduar me fitoren e skuadrës kampione të Gjilanit, me rezultatin 2-1. Një ndeshje që ka dhuruar emocione, shtylla, gola, por edhe një spektakël në tribuna nga dy tifozeritë (“Intelektualët” dhe “Plisat”) dhe sidomos fair play.
Rreth 10 mijë tifozë ndoqën këtë supersfidë nga stadiumi, ndërsa shumë të tjerë nga televizori. Përpara startit të takimit, sakaq, u mbajt një minutë heshtje në nderim të të ndjerit Fadik Vokrri, ish-president i Federatës Kosovare që u nda nga jeta kohë më parë.
Prishtina e nisi shumë fort takimin, teksa në 45 minuta ishte e pafat pasi goditi tri herë shtyllën e gjilanasve, duke shënuar vetëm një gol, megjithatë.
Mankenda goditi shtyllën në të 33’, por ishte po ai që gjeti golin pak çaste më vonë, teksa më parë ishte Hoxha ai që u ndal nga trau.
Pjesa e dytë foli pothuajse për Dritën, të cilët arritën të përmbysin rezultatin dhe të fitonin. Gërbeshi realizoi me penallti në të 63’, teksa u desh të mposhte dy herë portierin Bakaj pasi arbitri e përsëriti për hyrje në zonë të futbollistëve.
Në minutën e 82-të erdhi edhe goli tjetër për kampionët. Krasniqi pasoi saktë drejt Xhevdet Shabanit, i cili harkoi saktë për toke drejt Betim Haxhimusës, që nuk gaboi nga afërsia, duke realizuar edhe golin e dytë.
Deri në fund të ndeshjes më nuk pati gola dhe kështu, ndeshja përfundoi 2-1 për Dritën, që ngre kështu Superkupën e saj të parë në histori, teksa Prishtina deri tani kishte fituar plot nëntë herë.