Ditën e mërkurë do të ketë një mbledhje të dytë të UEFA-s mes 55 Federatave të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse. Por ajo që duhet të kuptohet dhe që ngatërrohet disi, është fakti se nga ky takim nuk do të dalin data përfundimtare dhe që vulosin rikthimin e kampionateve.
Kjo do të vlejë vetëm për finalet e “Champions League” dhe “Europa League”, që mund të shtyhen sërish, ndoshta edhe me një datë të pakufizuar, pasi është parë se situata e Koronavirusit nuk është qetësuar dhe po avancon më tej në Europë.
Të gjitha shtetet dhe Federatat e kanë në dorë vazhdimësinë e kampionatit në bazë të gjendjes së vendit të tyre me pandeminë, që është e ndryshme. Pra nëse në javën e dytë të prillit do të ketë masa liruese nga ana e qeverisë shqiptare dhe lojtarët mund të lejohen që të nisin stërvitjen, atëherë futbolli mund të rikthehet menjëherë në maj.
Vendimi i FSHF-së merr edhe dakortësimin e UEFA-s nëse do të jetë ky skenar dhe do të vazhdohet me ndeshjet e mbetura. Ndërkohë një skenar kaq optimist nuk e ka Seria A dhe La Liga, me të dyja këto shtete që janë nga më të prekurat nga pandemia.
Gjendja e tyre pritet të jetë e vështirë edhe me kalimin e ditëve ndërsa futbolli duhet të presë në qershor në rastin më të mirë. Nëse do të ketë raste kur një shtet flet vetëm për viktima dhe futbolli nuk mund të dërgohet ndërmend, atëherë mund të ketë edhe një zgjidhje në tavolinë. Në këtë situatë anormale, asgjë nuk është e përjashtuar, megjithëse dëshira e UEFA-s është që të gjitha kampionatet të zhvillohen deri në fund. Për momentin futbolli shqiptar ka një shpresë pozitive duke parë gjendjen në vend dhe duke shpresuar se rastet do të vijnë në ulje. /Sport Ekspres/