Ndërsa janë përmbyllur tre javët e para të Superiores dhe vendi i është lënë Kombëtares, ndalemi pak te niveli dhe rezultatet e treguara nga ana e ekipeve në elitën e futbollit shqiptar. Nëse flasim për skuadrën më të mirë deri tani, atëherë padyshim është skuadra e Memës, Tirana.
Bardheblutë janë duke bindur në çdo aspekt, duke blinduar portën dhe duke treguar “dhëmbët” në sulm. E nisën me Luftëtarin duke e mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë 3-0, për të vazhduar me një barazim pa gola ndaj Teutës dhe te ajo fitore ndaj Vllaznisë me shifrat 0-2. Nota është afër maksimales, pasi bardheblutë janë të vetmit që nuk kanë pësuar asnjë gol të vetëm në kampionat. Por edhe sa i përket aspektit të sulmit prodhohet shumë, aqsa në 3 ndeshje janë shënuar 5 gola dhe shpërdoruar pafundësisht shumë.
Ekipi më i dobët? Faktikisht mbeten dy të tillë, por megjithëse është Luftëtari në vendin e fundit të renditjes, diçka më keq është Flamurtari. Pasi transferuan gati dy formacione në Vlorë gjatë merkatos së verës, nuk është marrë ende pika e parë. Jo vetëm kaq, por nuk është shënuar ende as goli i parë, duke qënë i vetmi ekip në kampionat që nuk e ka bërë një gjë të tillë. Nëse Luftëtari arriti të luftonte deri në fund me Partizanin që kishte 11 lojtarë në fushë, Flamurtari nuk arriti të bënte diçka më tepër megjithëse kishte fatin që kundërshtari luajti me 10 lojtarë në pjesën më të madhe të lojës. Në futboll ndikon jashtëzakonisht shumë edhe mungesa e 1 lojtari të vetëm, por Flamurtari nuk përfitoi dhe do të humbiste ndeshjen po aq sa Luftëtari ndaj Partizanit, 0-1.
E për t’u ndalur tek këta të fundit, trajneri Lerda ka prekur të mesmen e artë. Kritikat dhe lëvdatat nuk mund të jepen për të. E nisi duke humbur ndeshjen e parë të kampionatit pas penalltisë së Shkurtaj, por duke parë Superkupën e fituar, gjithçka falej. Nëse Partizani kërkonte me ngulm 6 pikë brenda 3 ndeshjesh, Lerda e plotëson dëshirën. Por mënyra sesi i ka arritur, nuk i ngroh shumë tifozët. Flitet për dy fitore me rezultatin minimal 1-0, madje edhe humbjen ndaj Kukësit do e merrte me këto shifra. Nëse deri tani keni dëgjuar shprehjen e famshme në futboll: “Mbrojtja më e mirë është sulmi”, për Lerdën ndryshon: “Sulmi më i mirë, është mbrojtja”. Tipike italiane, teksa kërkon që të mos bëhet asnjë gabim në mbrojtje për të mos pësuar gol me asnjë kusht, ndërsa në aspektin e sulmit do të dali gjithmonë diçka. Njëherë Telushi dhe herën tjetër Solomon, nuk ka një pikë mbështetëse. /Sport Ekspres/