“Superheroi” poshtë fanellës së “heroit” Subasiç, drama e portierit të Kroacisë!

Eraldo Harlicaj

Futbolli është më shumë se një lojë. Për protagonistët e kësaj fushe është vetë jeta! Ashtu si në përditshmërinë tonë kur marrim goditje aty ku nuk e presim, ashtu dhe karriera e lojtarëve ka ulje-ngritjet e veta. Ka momente që mbesin përherë në memorien e tyre dhe pllakosin të ardhmen. Mbrëmë, portieri i Kroacisë, Danijel Subasiç, u kthye në heroin e kombit duke pritur 3 penallti në ndeshjen kundër Danimarkës dhe kualifikoi vendin e tij në çerekfinale. Kujtime që do të vdesin me te, do t’i marrë me vete në varr.

Në fakt, portieri i Monakos në Principatë do të marrë me vete dhe kujtimin e 28 marsit të vitit 2008. Në atë kohë, 33-vjeçari luante për ekipin e NK Zadarit. Në ndeshjen e ekipit të tij kundër Cibalia, shoku i tij i skuadrës, Hrvoje Çushtiç, u përplas me një prej mureve rrethuese të fushës dhe gjeti vdekjen. Në një dyluftim për topin, 24-vjeçari u përplas me kokë në murin rrethues. Luftoi disa ditë për jetën, por në fund e humbi ndeshjen më të rëndësishme të tij më datën 3 prill 2008.

Në delirin e fitores kundër Danimarkës, Subasiç hoqi fanellën dhe shpalosi poshtë saj portretin e Çushtiçit. Duart drejt qiellit, një falenderim për mikun e tij që e pa nga qielli dhe i dha forcë. Kush e di, kroati mund të ketë imagjinuar portretin e ish-shokut të tij me një buzëqeshje krenare në fytyrë në qiellin e ftohtë rus. Për “gardianin”, ai është superheroi i tij, përgjithmonë! Ashtu si shkrimi në bluzën e tij.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *