Në Gjirokastër po mundohen t’i japin një vëmendje të madhe të rinjve, por ka edhe nga ata që e kërkojnë fatin e tyre diku tjetër. Një prej tyre është sulmuesi Ardit Ziaji. Është vetëm 18 vjeç dhe ka spikatur me moshat e bluzinjve.
Sezonin e fundit ka arritur të realizojë 11 gola në kampionat, ndërkohë që ka shënuar edhe në Kupë me ekipin e parë. Ziaji ka debutuar në Superiore në takimin e shkurtit kundër Lushnjës në transfertë. Gjithsesi sulmuesi është grumbulluar në tre takime të kampionatit.
Ziaji tanimë i është bashkuar Flamurtarit, klub që ishte interesuar për sulmuesin që sezonin e shkuar. Bëhet fjalë për një lojtar të shpejtë dhe që ka “nuhatje” goli. Vlonjatët ende nuk e kanë zyrtarizuar të riun, por vetë ai ka postuar në rrjetet sociale foto me fanellën kuqezi.
Sulmuesi do kërkojë të tregojë vlerat e tij në Vlorë. Konkurrenca është e fortë, pasi sigurisht që Tomislav Bushiç do të jetë zgjedhja e parë e Dajës. Gjithsesi i riu do të jetë një alternativë edhe për krahët.