Dikush ka tradhtuar Shkodrën… Ndoshta nuk është fare shkodran, ndoshta është i ardhur, ose akoma më keq, mund të jetë një person që vuan nga çekuilibrime mendore dhe është i rrezikshëm për komunitetin. Por, e sigurt është që ai që i maskuar ka mbajtur një thikë në dorë dhe ka tentuar të godasë trajnerin kampion Shqipërie me Kukësin, sot i ulur në pankinën kuqeblu, është thjesht një frikacak dhe aspak burrë!
Dhe, ky akt vandalizmi dhe madje edhe krimineli (forcat e rendit do të zbardhin gjithçka dhe subjektin në fjalë e pret një “ndeshje” shumë më e vështirë në burg) ka tronditur mbarë opinionin e gjerë publik, atë të futbollit, por sidomos një qytet me vlera, qytetari, kulturë dhe që gëzon respekt në mbarë Shqipërinë dhe përtej kufijve, ku e njohin.
Shkodra nuk është kjo, nuk do të jetë kurrë kjo! Një ngjarje e rëndë që është si një “thikë në zemrën” e Shkodrës, qytetit të mrekullueshëm të Shqipërisë, e bërë nga një individ. Por, diçka tjetër që ia vlen të thuhet në këtë histori të tmerrshme janë mesazhet kërcënuese që trajneri ka marrë kohët e fundit, ashtu sikurse edhe Cungu dikur.
Por, nëse Cungu ishte shkodran, Gjoka nuk është dhe, te ky i fundit, dikush ka dashur të japë mesazh konkret dhe jo vetëm me të shkruar… Dhe, nëse një person, kushdoqoftë ai, pretendon të kërcënojë dhe të lëkundë nderin e një qyteti, ka gabuar rrugë, sepse ai komunitet do ta ndëshkojë më shumë se kushdo…