Autoriteti i Konkurrencës ka dërguar përfaqësuesit e saj në FSHF. Shitja e të drejtës televizive, por edhe çmimet i biletave, janë çështjet të cilat ky organ kërkon të shqyrtojë. Në fakt që ditën e djeshme ata kishin shkuar në FSHF, por për arsye të ndryshme gjithçka ishte shtyrë për sot.
Ky autoritet kërkon informacion për mënyrën e shitjes së të drejtës televizive. RTSH është ankuar për faktin se nuk i është dhënë e drejta për të transmetuar takimet e Superiores. Momentalisht të drejtën për të transmetuar ndeshjet e kampionatit elitar në vend e ka Supersport.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të zbulojë autoriteti i konkurrencës pas vënies në shqyrtim të dokumentacioneve të nevojshme. Nuk përjashtohet mundësia që të kemi të bëjmë edhe me një sulm të radhës politik. Pak ditë më parë FSHF akuzoi Ministrinë e Financave për shkak se Komisioni i Apelit ka refuzuar të rimbursojë TVSH-në për investimin që qeveria e futbollit në vend ka bërë në stadiumin kombëtar.
ROLI I AUTORITETIT TË KONKURRENCËS – Autoriteti i Konkurrencës është organ publik, i pavarur në kryerjen e detyrave të veta. Ai ka filluar veprimtarinë e tij ne 1 Mars 2004 në bazë të ligjit Nr. 9121 Datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Qëllimi i ligjit është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, si një e mirë publike.
Autoriteti i Konkurrencës është i ngarkuar me ligj për fillimin e procedurave paraprake hetimore me nismën e tij. Ligji përcakton rolin që duhet të luajë Autoriteti i Konkurrencës për rregullimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëpunim me organet e administratës qendrore dhe vendore, entet rregullatore dhe institucionet e tjera.
Autoriteti i Konkurrencës përbëhet nga Komisioni si organ vendim marrës, i përbërë nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe Sekretariati si organ ekzekutiv.