Jasir Asani është lojtari i radhës që i largohet Partizanit pak kohë pasi Çinari firmosi në Turqi për Samsunsporin. Sulmi i Ilir Dajës ka marrë një goditje të madhe brenda një harku kohor shumë të shkurtër, teksa të dy lojtarët mbajnë numrin më të lartë të golave të shënuar për të kuqtë në sezonin që u mbyll pak ditë më parë.
Asani ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë në Hungari, ku do të veshë për dy vite fanellën e Kisvardas. Mes Ligës së dytë turke dhe elitës hungareze, 26-vjeçari ka zgjedhur këtë të fundit. Së fundmi mësohet edhe paga që lojtari shqiptar do të përfitojë te skuadra e re. “RTSH Sport” mëson se Asani do të përfitojë 350 mijë euro brenda dy viteve, ndërsa së bashku me bonuset kjo shifër shkon deri në 400 mijë euro.
Ndërkohë palët kanë të drejtë të zgjasin kontratën edhe me një tjetër vit nëse janë të kënaqur me bashkëpunimin. Gjithashtu mësohet se Asani do të udhëtojë drejt Hungarisë për të nënshkruar kontratën ditën e hënë ose të martë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/