Partizani ka zbritur për herë të parë në tokën shqiptare ditën e djeshme. Stafi i ri me në krye trajnerin Mark Juliano ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në kryeqytet. Në stërvitje kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, përjashtimi i vetëm është ai i kapitenit Alban Hoxha që është i grumbulluar me kombëtaren shqiptare. Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje në stërvitjen e Partizanit ishte prania e mesfushorit Alban Sulejmani dhe mesfushorit tjetër nga Brazili Uarlej Gleison Dos Santos Alvesh, por jo për stërvitje për momentin.
SULEJMANI – ALVESH – Përveç vëzhgimit nga tifozët, seanca e djeshme stërvitore është zhvilluar nën sytë e dy vëzhguesve të veçantë. Afrimet e reja të “demave” Sulejmani dhe Uarlej Alvesh kanë qenë të pranishëm në kompleksin sportiv të Kamzës. Të dy mesfushorët kanë qenë të ulur në pankinën e kompleksit dhe kanë parë nga afër shokët e skuadrës dhe njëkohësisht edhe kundërshtarët për formacion. Sulejmani dhe Uarlej do të realizojnë vizitat mjekësore dhe më pas edhe priten të prezantohen nga klubi i kuq. Sigurisht nëse gjithçka do të shkojë si duhet dhe nuk do të kenë probleme. Sulejmani është një futbollist që premton shumë, ndërsa Uarlej thuhet se është rekomanduar nga legjenda e Brazilit Bebeto.