Strategjia e vlonjatëve për çështjen Kale, ngërçi mbetet te FSHF

Në merkaton e verës, u trumbetua si një prej blerjeve të mëdha të Flamurtarit. Elton Kale vendosi të mbyllte aventurën te Kukësi, për t’u transferuar në Vlorë. Firmosi dhe u prezantua me kuqezinjtë, por… pati një problem.

Kukësi pretendoi se braziliani ishte ende nën kontratë me ta. Madje, klubi veri-lindor publikoi edhe marrëveshjen e firmosur nga sulmuesi i krahut. Nga ana tjetër, Kale akuzoi për falsifikim të firmës dhe i’u drejtua FIFA-s për zgjidhen e situatës.

Çështja vazhdon të shqyrtohet nga institucioni që drejton futbollin botëror. Ndërkohë, braziliani nuk luan një ndeshje zyrtare prej tre muajsh, diçka që padyshim ndikon për keq në karrierën e një futbollisti, ndërsa Flamurtari ka një “gropë” në fazën sulmuese, sepse në fillim të sezonit kishin planifikuar edhe shërbimet e lojtarit.

Pas javëve me radhë që kanë pritur, në Vlorë vazhdojnë të shqyrtojnë strategjinë për zgjidhjen e çështjes Kale. Edhe tashmë, kur ka nisur faza e dytë e kampionatit. Klubi kuqezi ka kërkuar në Federatën Shqiptare të Futbollit, që lojtari të federohet në mënyrë provizore, si mënyrë që ti jepet e drejta për të luajtur.

Por, mes polemikave të dy klubeve dhe akuzave për falsifikime, të cilat rrezikojnë që nga çështje sportive kjo të kthehet në një çështje penale, FSHF heziton. Situata është e komplikuar dhe për të mos rrezikuar të përfshihet edhe në një ngjarje, e cila bazuar në pretedimet e futbollistit Kale mund të përbëjë krim, federata ka vendosur të presë verdiktin e FIFA-s, për ti dhënë të drejtë sulmuesit dhe Flamurtarit, apo klubit të Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *