Stramaçoni: Sherri me Kasanon, e vërteta ime

Sulmi i Antonio Kasanos e ka befasuar Andrea Stramaçonin, i cili është cilësuar nga ish-sulmuesi si “personi më i keq që kam takuar ndonjëherë”. Për ish-trajnerin e Interit është një sulm i ulët, aspak burrëror.

Gjithçka lidhet me sezonin 2012/13, kur një grindje në stërvitjen e Interit vazhdoi në dhomat e zhveshjes dhe nuk dihet deri ku shkoi sherri, por duket se ka pasur pak boks. Në ndeshjen tjetër Stramaçoni nuk e grumbulloi Kasanon, i cili mori edhe gjobë.

Në atë kohë Strama nuk foli, por tani ndryshon historia: “Këtë radhë dua të flas, sepse nuk mund ta pranoj që e vërteta të përmbyset. Episodi i zënkës ishte shumë i thjeshtë dhe atë ditë ishin të pranishëm shumë persona. Një person i Interit më njoftoi se Kasano fliste hapur kundër meje me shokët e skuadrës dhe stafin, gjë që nuk ndodhte për herë të parë”.

Detaje shtesë: “Brenda qendrës stërvitore Pinetina ai kishte mbajtur një miting me lojtarë e anëtarë të stafit, duke u shpjeguar sa i zoti ishte Maxarri dhe sa mirë do ishte nëse ai merrte vendin tim. Ai ishte bindur pas Krishtlindjeve që unë në fund të sezonit nuk do e kisha konfirmuar dhe ishte i sigurt se Maxarri do e mbante, por në fakt pikërisht ai e largoi”.

Më pas, ngjarja: “Pasi ma treguan spektaklin e Kasanos, prita fundin e stërvitjes për ta marrë më vete, por ai u largua i pari nga fusha dhe u detyrova të vrapoja pas tij. Nisi një debat dhe ai mohoi gjithçka, si person fals që është. E dija që po gënjente, i thashë që nuk vlen si person, që nuk kishte mirënjohje, meqë unë e kërkova tek Interi, ndaj aty situata degjeneroi”.

Sherri i egër: “Nuk më preku dhe ai e di mirë, i ulërita që për sa kohë i shkonte mbarë, më përqafonte kur shënonte gol dhe isha trajner i zoti, ndërsa më pas u bëra më i keqi në botë. Unë nuk jam Fenomen, as më i keqi në botë dhe për këtë histori nuk kam folur as me presidentin Morati, për të mos nxjerrë sekretet e dhomave të zhveshjes, sepse janë gjëra që ndodhin dhe mbeten aty. Edhe lojtarët që ishin të pranishëm në atë sherr nuk kanë folur kurrë, por fakti që Kasano tani flet në media kundër meje tregon që ishte e vërtetë gjithçka mendoja për të pas atij sherri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *