Ndeshjet e kombëtareve kanë përfunduar, me playoff tragjik të Italisë, që në Rusi 2018 nuk do të jetë, teksa Suedia e ka siguruar biletën. Në fundjavë do të jetë në program derbi mes Romës dhe Lacios, me Strakoshën mes protagonistëve. Portieri bardhekaltër, megjithtaë, nuk mund të mos thotë dy fjalë për apokalipsin e katër herë kampionëve të botës dhe lotët e idhullit të tij, Xhanluixhi Bufon:
“Përpara së gjithash, kam tim atë si model, por idhulli im mbetet Xhixhi Bufon”, tha për “Sky Sport”. “Ishte e shëmtuar ta shihje aq të trishtuar, për diçka që e gjithë Italia e priste. Ishte diçka e veçantë, sepse ta shohësh ashtu i ka përcjellë trishtim të gjithë italianëve.
Meritonte një fund ndryshe me kombëtaren”. Sakaq, në Formelo ka rigjetur Imobilen hde Parolon, që ndaj Suedisë luajtën gjithashtu… “Ditën që i pashë ishin të trishtuar dhe ndiheshin shumë keq. Nuk isha mësuar t’i shihja kështu, kurrë kaq keq. Por, është normale, Botërori është diçka e bukur. Dhe, ata kanë një peshë të madhe sepse e gjithë Italia donte të shkonte.
Nuk arritën, por dhanë më të mirën e tyre. Pashë ndeshjen, kanë dhënë gjithçka por mungoi pak fati. Ata janë profesionistë, tani janë të përqendruar te derbi dhe do të japin më të mirën”.