Nga Klaudio Ndreca
Thomas Strakosha është duke kaluar momentin më të vështirë në këto vitet e fundit. Portieri shqiptar “lindi” papritur për të marrë vendin titullar te Lacio pasi “theu” Marketin, gardianin që konsiderohej i padiskutueshëm te kryeqytetasit, pavarësisht gafave të shumta. Madje ky do të ishte edhe shkaktari i largimit të Etrit Berishës që u konsiderua i tepërt te Lacio. Menjëherë Strakosha arriti që ta linte në stol dhe pas këtij dueli, një qetësi e madhe ra në kampin lacial. Pavarësisht prurjeve të ndryshme si në rastit e Protos, askush prej portierëve nuk kishte aftësinë për të konkurruar Strakoshën.
Deri në ardhjen e gardianit 38-vjeçar, Reina. Ky i fundit u transferua me qëllimin për të ndihmuar Strakoshën që të rritet më tepër. Por kjo lëvizje po jep efektin e kundërt, teksa tifozët dhe Inzagi po i beson përvojës së madhe të Reinës që i ka marrë vendin Strakoshës për ndeshjet më të rëndësishme.
Në këtë mendim është edhe ish-portieri Simone Braglia që në një intervistë për “TMË”: u shpreh: “Reina apo Strakosha? Roli i portierit është më delikati në aspektin psikologjik. Nuk jam dakort fare me ndërrimin. Numri 1, kur është mirë, duhet të luajë gjithmonë. Portieri është trajner i dytë në fushë. E kuptoj personalitetin që ka Reina, por nëse tjetrit është i ri dhe i fortë, duhet të luajë”.
Pra për momentin nëse Strakosha mund të ketë një avantazh më të madh ndaj Reinës për të ardhmen është vetëm karta e identitetit që tregon moshën e tij. Portieri shqiptar nuk po i përgjigjet me rritje të nivelit kësaj konkurrence dhe gazetari Fabrizio Castinelli shprehet qartë:
“Duhet ta themi një gjë tani. Me Reinën në portë nuk është vetëm siguri e madhe mes shtyllave, por një sigurie e madhe te gjithë ekipi. Mbrojtja ndihet e qetë, gjithçka duket e lehtë. Është shumë e sigurt kur Reina është në portë, e kam të qartë në sytë e mi. Strakosha është akoma i frikësuar, në mënyrë të pashpjegueshme ka më pak karizëm. Reina ka mbi 170 paraqitje në Europë dhe unë mendoj se duhet të vazhdojë si titullar”, u shpreh Castinelli. Reina u vendos si titullar edhe në barazimin me shumë vlerë që mori Lacio kundër Dortmundit, në një ndeshje ku e gjithë Europa kthen vëmendjen dhe Strakosha e ka ndjekur nga stoli. /Sport Ekspres/