Lacio ka mundur 4-1 Çitadelën në Kupën e Italisë, duke siguruar kualifikimin për në çerekfinale, ku e pret Fiorentina. Ndalet në këtë mënyrë galopi i Çitadelës, që më parë kishte eliminuar Bolonjën e Spalin.
Një fitore e thjeshtë, me dy gola nga Imobile dhe nga një gol për Felipe Anderson e Uollas.
Titullar, edhe në kupë, është Thomas Strakosha, i cili duket se është një pikë kyçe për Simone Inzagin, i cili nuk beson shumë te zëvendësi i portierit të kombëtares sonë.
Shqiptari gaboi te goli i Çitadelës, duke u befasuar nga goditja e dënimit që prodhoi golin e shpresës për miqtë, por në fund Strakosha kreu një pritje spektakolare ndaj Bartolomeit, i cili shënoi golin mik në fund të pjesës së parë dhe mund ta çonte ndeshjen në 3-2, para se Imobile të mbyllte gjithçka në minutën e 87-të. Në mediat italiane portieri ynë është vlerësuar me nota pozitive, nga 6 deri në 6.5.