Stoli shqiptar tremb drejtuesit e Partizanit

Kanë kaluar dy javë nga përfundimi i sezonit dhe te Partizani nuk pipëtin asgjë. Lojtarët nuk kanë marrë asnjë njoftim, ata që janë në fund kontrate presin edhe për faktin se mund të kenë edhe probleme të tjera, si puna e ndonjë rroge të prapambetur, ndërsa Klevis Dalipi mbetet trajneri ‘de jure’, por realisht edhe ai e ka të qartë që nuk është më trajner i Partizanit. Ajo që bezdis tifozët është amullia dhe heshtja në klub, sepse të paktën do duhej një deklaratë për shtyp në lidhje me sezonin që lamë pas, çfarë shkoi dhe çfarë nuk shkoi, projekti për të ardhmen, një falënderim dhe mirupafshim për ata që nuk janë në plane për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që media të mos publikojë çdo ditë lajme të ndryshme, aq sa nuk dihet ku mbaron e vërteta e ku nis trillimi, bazuar në ndonjë gjysmë fjale.

PRITJA – Duket qartë se te Partizani po presin vetëm një gjë: fatin e Skënderbeut. Duke qenë se brenda pak ditësh do të vijë verdikti i CAS-it në lidhje me korçarët, presidenti Demi dhe drejtuesit e tjerë të klubit kanë vendosur të tregohen të duruar, me të drejtë. Partizani në Europa ndryshon gjithçka, pasi do të arkëtoheshin goxha para, që do të mundësonin afrimin me 5-6 lojtarëve shumë cilësorë. Në të kundërt, pa Europën partizani do ta ulë shënjestrën, duke konfirmuar pjesën më të madhe të skuadrës aktuale dhe duke u fokusuar tek të rinjtë që ka aktualisht në ekip, si dhe duke kërkuar të tjerë lojtarë interesantë, në Shqipëri apo gjetkë. Nuk duhet harruar se përjashtimi i Skënderbeut do të nxirrte në treg shumë lojtarë, ndaj edhe pista korçare shihet me interes.

TRAJNERI I RI – Një gjë është e sigurt në këtë moment kur bëhet fjalë për sezonin e ardhshëm dhe Partizanin: trajneri i ri nuk do të jetë shqiptar. Drejtuesit e kuq, me apo pa të drejtë, nuk kanë besim se një trajner vendas do të dinte të gjente rrugën e suksesit. Ndoshta presioni, ndoshta ndërhyrjet e miqësitë, ndoshta frika nga lojtarët, të gjitha këto janë gjëra te Partizani i bluajnë në mendje dhe përfundimi i arritur është se trajneri i ri do të jetë i huaj. Problemi është kush, sepse këtu nis kaosi. Kroati Mario Tokiç u shfaq në Tiranë që në fund të prillit dhe menaxheri i tij Mario Cenolli ka biseduar me drejtuesit e Partizanit, por këta hezitojnë pikërisht për faktin se nuk kanë asnjë projekt në letër e në mendje. Për këtë arsye, fitojnë kohë, duke studiuar emrat e trajnerëve të huaj që u propozohen, me shpresën do t’u dalë përpara ndonjë okazion, tip Pakult. Kjo lojë ‘tërhiq e mos e këput’ është paksa me rrezik, sepse edhe Tokiç mund të humbasë durimin e të nisë punë gjetkë, ndërkohë që koha po ikën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *