“Uroj të shënoj në derbi”. Kjo është dëshira e Rubin Hebajt, sulmuesit shkodran të Vllaznisë. Ditën e djeshme ai arriti të realizonte dy herë në portën e Flamurtarit dhe në daljen mediatike pas ndeshjes ai e pranoi se nuk e priste diçka të tillë. Gjithsesi është shumë i lumtur që shënoi.
“S’e kisha pritur, por të gjithë futbollistët jemi gati të bëjmë më të mirën tonë kurdo që të futemi në fushë. Edhe për të shënuar është detyra ime. Jam i kënaqur që shënova dy gola dhe fituam”, u shpreh Hebaj, i cili më tej foli për dëshirën e tij që të luajë në derbi.
“Normale, të luash në derbi është një kënaqësi më vete. Çdokush ka dëshirë të luajë në një ndeshje të tillë. Zgjedhjet janë të trajnerit, shpresoj të luaj edhe unë. Do doje ta vendosje sërish derbin? Pse jo, do të ishte kënaqësi”, shtoi shkodrani, i cili u huazua këtë verë nga sllovenët e Domzhale.
Në derbi e nisi nga stoli dhe më pas shënoi dy herë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Flamurtarin. Gjithsesi Hebaj nuk mendon se është më rezultativ kur e nis si zëvendësues: “Besoj se motivimi im është i njëjtë, sikurse futem nga fillimi, sikurse futem në mesin e lojës. Besoj se janë faktorë të tjerë që ndikojnë në paraqitjen time, ose në shënimin e golave. Normalisht ka pjesë edhe fati. Unë mundohem të bëj më të mirën time”.
I pyetur se në sa për qind të formës së tij është, Hebaj nuk di të japë një përgjigje ekzakte: “Nuk di ta them se në sa për qind të formës time jam. Besoj se jam në një formë të mirë, e nisa vitin mirë. Shënova disa gola në kupë dhe tani realizova edhe në kampionat. Shpresoj të vazhdoj duke shënuar”.
Stoli ndikon te një lojtar, të paktën në aspektin psikologjik. Nëse një futbollist e humb besimin, atëherë për të gjërat bëhen edhe më të vështira. Gjithsesi sulmuesi shkodran mendon se për të nuk ka asnjë problem. “Është pak e vështirë, por janë vendime të trajnerit dhe stoli duhet pranuar. Nuk besoj që ndikon qëndrimi në stol. Duhet të jem i përgatitur 100%, sikur ta nis titullar, sikur ta nis nga stoli dhe të bëj më të mirën time”.
Golat e shënuar ndaj Flamurtarit shkojnë për një njeri special të Hebajt, gjyshit të tij të ndarë nga jeta pak ditë më parë. “Dedikimi shkon për gjyshin tim, i cili vdiq para një jave. Të dy golat ia dedikoj atij”, përfundoi shkodrani, i cili në Superiore këtë sezon ka shënuar katër gola.
VLADIMIR PRENGA