Starovën e kënaq një pjesë loje: Përgjigje pozitive, por edhe negative

Trajneri i Partizanit: Kjo sfidë s’ka lidhje me takimin kundër gjirokastriteve. Pogradeci s’kishte pretendime

Të gjithë e kanë mendjen te Luftëtari. Në kampin e kuq mendojnë për transfertën e vështirë me gjirokastritet. Numri një i stolit pranon se ndeshja e Kupës kundër Pogradecit, ishte një test i mirë para ndeshjes në kampionat, por s’ka lidhje me të.

62-vjeçari mendon se skuadra e tij e kishte të thjeshtë sfidën, pasi kishte fituar takimin e parë. Starova pranon se ishte një test për të, por nuk rezulton të jetë shumë i tillë, pasi ai luajti me lojtarët e stolit, pasi kishte frikën e ndonjë dëmtimi të mundshëm.

NDESHJA – Tekniku e pranon se skuadra e tij luajti më mirë në 45 minutat e dyta. Nuk është e vështirë për ta thënë diçka të tillë, pasi të 3 golat u shënuan në këtë fraksion loje. “Pjesa e dytë ishte e mirë për ne, pasi luajtëm më mirë dhe shënuam edhe gola të bukur. Fitorja në Pogradec na e lehtësoi punën dhe ne sot (dje) aktivizuam të gjithë lojtarët që kishim në dispozicion. Ne ruajtëm lojtarët që kanë marrë më tepër ngarkesë në takimin që përfundoi. U bë një ndeshje e kënaqshme për ne. Në pjesën e dytë erdhën edhe gola të bukur. Tani përgatitemi për sfidën në kampionat kundër Luftëtarit”.

PRITSHMËRITË – Numri një i stolit është i sinqertë kur tregon se priste ndoshta diçka më shumë nga skuadra e tij. Starova pranon se ka marrë përgjigje të caktuar nga lojtarët e tij, disa pozitive dhe negative. Ai ka pasur nën vëzhgim futbollistët që nuk kanë luajtur shumë minuta. “E mora një farë përgjigjeje nga futbollistët, më tepër nga ata lojtarë që nuk janë aktivizuar. Edhe pozitive edhe negative”.

LUFTËTARI – Ndeshja kundër Luftëtarit ka rëndësi më të madhe dhe trajneri Starova e pranon se sfida me Pogradecin nuk ka lidhje me takimin që do të luhet në Gjirokastër. Kjo ndeshje nuk ka lidhje me takimin në kampionat ndaj Luftëtarit. Është ndryshe kur ke një sfidë në kampionat dhe kur luan në Kupë. Ne duhet që ta pranojmë që fitorja në Pogradec na e lehtësoi punën. Duhet thënë se edhe Pogradeci nuk kishte pretendime. Ata nuk e aktivizuan gjithë ekipin, ashtu si edhe ne. Le të themi që u bë ndeshje bukur, një ndeshje kontrolli përpara sfidës së kampionatit”, – përfundon trajneri Starova.

One thought on “Starovën e kënaq një pjesë loje: Përgjigje pozitive, por edhe negative

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *