Trajneri i Patrizanit, Sulejman Starova, e ka rinisur me humbje aventurën e re në drejtimin e të Kuqve. Pritej më shumë,pritej fitorja, por në laç erdhi një humbje djegëse, që thellon krizën. Statrova, në Supersport, deklaroi: “Ishte një ndeshje e vështirë, ndaj një rivali të fortë. Edhe era na e vështirësoi ndeshjen, por pashë gjëra të mira në pjesën e parë. Në pjesën e dytë pësuam gol menjëherë dhe skuadra u përfshi nga nervozizmi. Skuadra nuk është e qetë psikologjikisht, sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe që bëjmë kaq shumë gabime. Jemi në krizë, por duhet të punojmë dhe të gjejmë forcë që të ndryshojmë në lojë dhe rezultate. Në të shkuarën kemi ditur të përmbysim ndeshje, por sot skuadra nuk ishte ajo që duam.
“Po punojmë për të rregulluar defekte, nuk është e lehtë, sidomos kur ka shumë gjëra për të rregulluar.
Pres më shumë nga skuadra, ua kam bërë që çfarë ka kaluar, ka kaluar. U kam thënë lojtarëve që të mendojnë të luajnë futboll dhe të japin gjithçka, ndërsa unë mbaj përgjegjësi për rezultatet. Kam bërë ndryshime në skuadër, për të nisur me këtë formacion, por fatkeqësisht nuk mora përgjigjet që doja. Skuadra nuk është e keqe, kemi lojtarë shumë të mirë, skuadra është thuajse e sezonit të shkuar. Prisja shumë më tepër nga kjo skuadër, por skuadra nuk reagon pas pësimit të golit dhe ky është problem, pasi skuadra ka frikë nga rezultati, nga humbja”.