Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka folur për RTSH-në në një intervistë nga Turqia dhe ka prekur tema të ndryshme, duke nisur nga merkatoja. Tema e muajit ishte largimi i emrave të njohur si Krasniqi, Malota dhe Vila, pa asnjë paralajmërim dhe as zyrtarizim nga klubi.
“Ishte vendim i klubit, për të ndërtuar një cikël i ri. Ato hapa fals që bëmë vjet në përzgjedhjen e lojtarëve, që ishin të shumtë, e vështirësuan situatën dhe po mendohet për një cikël të ri që t’i durojë kohës dhe të jetë skuadra gjithmonë me objektivat e përhershëm, fitime trofesh e përfaqësim në Europë. Ishte një dëm që iu bë dhe do kohë të rregullohet, por me këtë pjesëmarrje të të gjithë pjesëtarëve të klubit, për të sjellë jo sasi, por cilësi, kemi shumë mundësi ta realizojmë”.
Afrimet: “Janë larguar lojtarë, po bëjmë rindërtim, që të arrijmë objektivat që kemi. Kemi marrë tre lojtarë në tre reparte dhe presim që të vijnë tre të tjerë. Kjo është periudhë e vështirë, në janar. Kjo është arsyeja që jemi pak të vonuar, por më mirë të vonuar se sa të nxituar si në fazën e parë. Merkaton e bëjnë drejtori i përgjithshëm, drejtori sportiv, të gjitha strukturat”.