Partizani i dha dorën e fundit përgatitjeve dje dhe orari nuk ka qenë ai i zakonshmi, por ekipi ka zbritur në fushën e blertë që prej orës 11:30. Në këtë mënyrë trajneri Starova ka shmangur sytë kureshtarë të kurbinasve, që ditët e shkuara zbrisnin në fushë në momentin që ata linin fushën e blertë në Kamzë. Këtë herë fundi i stërvitjes së të kuqve është parë vetëm nga fansat e kuq. Ndërkohë “riti” i përhershëm i heshtjes është rikthyer në kampin e kuq, me trajnerin Sulejman Starova që nuk ka dalë në konferencë për shtyp, sikurse bënte më parë Mark Juliano. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë gjobë nga FSHF për të, pasi është thënë se këtë vit konferenca për shtyp para ndeshjeve do të jetë e detyrueshme, kërkesë kjo e bërë nga “Supersport”, që ka edhe të drejtën e transmetimit të ndeshjeve. Sikurse edhe dihet, pas ndeshjeve prej kohësh është detyrim dalja para mediave dhe kur kjo nuk ka ndodhur ka pasur edhe gjoba, sigurisht pas paralajmërimit të bërë nga Komisioni i Disiplinës.
Mezani: Në shtëpi s’duhet të falim
Laçi nuk do të ketë në dispozicion për ndeshjen me Partizanin kapitenin Taulant Sefgjini të pezulluar që prej ndeshjes me Kamzën, si dhe brazilianin Ademir Souza. 32-vjeçari kishte nisur normalisht përgatitjet dhe u aktivizua në ndeshjen miqësore me Tërbunin, por ka pësuar sërish një dëmtim në kofshë. Para ndeshjes me të kuqtë, është trajneri Gentian Mezani ai që ka folur për “Supersport”, duke theksuar se bardhezinjtë në fushën e tyre duhet të mundin këdo. “Natyrisht që do të luhet një ndeshje krejt tjetër nga ajo e fazës së parë. Partizani ka bërë shumë gabime dhe do të luajë për të rikuperuar, ndaj nuk do të jetë aspak e lehtë ndaj tyre. Për më tepër, tani kanë një trajner tjetër, që e njeh mirë ambientin në kampin e kuq, por edhe Superioren. E kam thënë që në fillim se ne jemi një ekip fushe dhe në stadiumin tonë do të kërkojmë të marrim maksimumin ndaj çdo kundërshtari. Besoj se i kemi mundësitë të dalim me një rezultat pozitiv edhe nga kjo sfidë”, deklaroi Mezani.