Super Liga turke këtë sezon është kthyer në një kampionat çudirash, ku gjithçka duket e përmbysur. Në një situatë pa precedent, tre gjigantët e Stambollit po vuajnë dhe janë larg nivelit të zakonshëm.
Gallatasaraj e Beshiktash kanë mbetur shumë larg vendit të parë dhe kanë pasur luhatje pa fund, edhe pse janë ende në garë për titull, duke shpresuar që Bashakshehiri herët a vonë ta ulë ritmin.
Megjithatë, edhe ekipe të tjera kanë marrë zemër dhe nuk kanë më frikë, duke shpresuar te kreu dhe duke marrë pikë pa problem brenda në Stamboll. Kryeqyteti turk është në krizë futbollistike dhe simboli i krizës është Fenerbahçe, aty ku situata është në emergjencë totale.
Javën e shkuar Kanarinat u mundën 3-0 në Akisar dhe të enjten u mundën në Sllovaki nga Trnava. Renditja në kampionat është dramatike, vendi i parafundit pas 15 javësh, kurrë kaq keq në histori.
15 ndeshje, vetëm 3 fitore e 5 barazime. Dikush do të qeshë, por kampionati turk kurrë nuk ka qenë kaq i ekuilibruar dhe Fenerbahçe mund të zbresë nga divizioni i parë për herë të parë në historinë e vet.
Gjithçka e ka zanafillën në verë, sepse Fenerbahçe vendosi të ulte nivelin e shpenzimeve, të rinonte ekipin dhe të afronte vetëm pak emra të njohur në huazim. Trajneri i njohur holandez Filip Koku mori drejtimin dhe u afruan në huazim emra të njohur si sulmuesi Islam Slimani dhe Andre Ajeu, por rezultatet kanë qenë katastrofike. Koku u pushua nga puna pas një debati të egër mes anëtarëve të bordit drejtues dhe që atëherë klubi nuk ka parë më ditë të bardha.
Fenerbahçe ka fituar 19 tituj kampionë dhe 6 kupa Turqie, duke qenë klubi me më shumë trofe në vend pas Gallatasarajit. Me Ervin Kuman në rolin e trajnerit të përkohshëm nuk u arrit kthesa (holandezi u pushua nga puna me një telefonatë në avionin e kthimit nga Trnava) dhe tashmë klubi ka punësuar një emër të madh në Turqi, Ersun Janal kampion në sezonin 2013/14 me Fenerbahçen. Me ish-trajnerin e kombëtares turke synohet mbijetesa në Süper Lig dhe të hënën sfida shtepiake kundër Erzurumsporit është si një finale. Stambolli në flakë…
We've started our preparations for the match against BB Erzurumspor under the leadership of our Head Coach Ersun Yanal. ????#Fenerbahçe #FenerinMaç?Var pic.twitter.com/FCZHsvj4L0
— FenerbahceSK_EN (@FenerbahceSKen) December 15, 2018