Nga Klaudio Ndreca
Ekipi i Laçit është një model sa i përket mënyrës sesi funksionon për prurjen e futbollistëve dhe shitjen e tyre. Zbulime të mëdha ndodhin thuajse në çdo vit nga kurbinasit që “godasin” me afrimet e bëra në merkato.
Kyrian Nwabueze ishte surpriza e këtij sezoni dhe që pritet të shitet për një shifër të kënaqshme në merkaton e verës. Por nuk ndalen vetëm këtu pasi te Laçi “fërkojnë duart” edhe për largimin e Uzunit nga Lokomotiva e Zagrebit.
“Sport Ekspres” ka mësuar se kurbinasit zotërojnë 20% të vlerës së kartonit dhe me shifrën e përmendur në media për shitjen e Uzunit te kampionët e Hungarisë, Ferencvaroshi, atëherë do të jenë përafërsisht rreth 300 mijë euro që do të shkojnë në arkat e klubit të Laçit. Pra këta të fundit do të përfitojnë një shifër edhe më të madhe sesa shitja e lojtarit më të rëndësishëm të Partizanit në këtë sezon, Lorenc Trashin, që shkoi në Kuvajt për 250 mijë euro. /Sport Ekspres/