Sponsorët mendojnë largimin, CR7 rrezikon të humbasë një miliard euro

Akuzat për dhunë seksuale që rëndojnë ndaj Kristiano Ronaldos, të cilat lidhen me ngjarje të vitit 2009, rrezikojnë të shkatërrojnë perandorinë ekonomike të krijuar nga ylli portugez. Denoncimi i ish-modeles Ketlin Majorga, e cila pretendon se është përdhunuar nga CR7 në Las Vegas, kanë nisur të bëhen shqetësuese për kompanitë, të cilat kanë kontrata milionere me futbollistin.

Sponsorët më të mëdhenj të Kristiano Ronaldos janë shprehur negativisht rreth ngjarjes, që ka tërhequr një vëmendje mediatike të madhe. Drejtuesit e “Nike”, nëpërmjet një deklarate të dërguar për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, janë shprehur “thellësisht të shqetësuar për akuzat” dhe njoftuan se “do të vazhdojnë të ndjekin nga afër situatën”.

Kompania gjigande e pajisjeve sportive, e cila e mbështet portugezin prej 2003-shit, në vitin 2016 rinovoi bashkëpunimin, nëpërmjet një kontrate “për të gjithë jetën”, vlera e së cilës përllogaritet në mbi një miliard dollarë. Me fjalë të tjera, nëse akuzat ndaj Ronaldos do të konfirmohen, atëherë kontratat për imazhin e tij do të rishikohen, madje rrezikojnë edhe të anulohen.

Përveç “Nike”, edhe kompania ndërkombëtare e video-lojërave, “EA Sports” është shprehur se “situata po monitorohet me kujdes, pasi presim që ambasadorët tanë të mishërojnë vlerat tona”. Ndër të tjera, edhe “Save the Children” mbetet shumë e interesuar për zhvillimet e ngjarjes, duke u shprehur “të tronditur nga ato që përfliten, ndërkohë që po punojnë për të mbledhur informacione të tjera”.

Deri më tani, në mbështetje të Kristiano Ronaldos, publikisht është shprehur vetëm klubi i Juventusit, që nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare u shpreh se “akuzat për ngjarjet e thuajse dhjetë viteve më parë nuk e ndryshojnë opinionin, se sulmuesi portugez është një profesionist i vërtetë dhe një person serioz”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *