Ka pasur shumë momente dhe histori mbrëmja në Haifa, nga fusha në tribunë… E kështu, momentet janë ndarë sipas edhe ngjarjeve specifike, por nga koret pro De Biazit, te “bravo” e Dukës, për të kaluar te vërshëllimat e tifozëve vendas për ekipin, lot të ekipit izraelit, apo spikeri tifoz e kështu me radhë…
Duka përgëzon – Menjëherë pas ndeshjes, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, është takuar me skuadrën dhe i ka përgëzuar për këtë sukses. Ai u ka thënë se “më në fund luajtët ashtu si të gjithë prisnin dhe është kjo fryma që duhet. Bravo vërtet”, është pak a shumë përmbajtja e diskutimit të kreut të FSHF-së, teksa më pas gjithçka ka vijuar në hotel me një darkë.
Kore “pro” De Biazit – Xhani de Biazi, si kurrë në këto ndeshjet e fundit, dje ka qenë shumë aktiv në pankinë dhe nuk përmbahej, duke mos u ulur asnjë moment. Teksa, kur duheshin edhe disa minuta që të përfundonte ndeshja, grupimi i tifozëve që kishin udhëtuar në Haifa, pra rreth 300 të tillë, kanë thërritur me kore emrin e tij, teksa italiani i ka përshëndetur, edhe pse është shfaqur shumë i ftohtë, sikur duket se ka vendosur se çfarë do të bëjë më pas… Natyrisht, ishte një hakmarrje personale edhe e tij ndaj kritikave…
Spikeri tifoz – Forma e mirë e kombëtares kuqezi detyroi spikerin e stadiumit të Izraelit të lëshoi thirrje për tifozët që të mbështesin skuadrën vendase. Spikeri i stadiumit në pjesën e parë provoi të elektrizonte tifozerinë, por një veprim i tillë është i palejueshëm. Mbetet të shihet nëse do të ketë masa për vendasit.
Sadiku nxehet – Një moment jo i këndshëm ka ndodhur gjatë ndeshjes së djeshme. Shqipëria është në një aksion me epërsi numerike, pasi Memushaj me topin në këmbë gjendet përballë dy mbrojtësve kundërshtarë, ndërsa në krahë ka të hapur Sadikun dhe Hykën. Vlonjat kishte të lirë sulmuesin, por provoi një pasim te shtatshkurtri. Kjo acaroi Sadikun që reagoi
Hysaj gjakoset – Sakaq, aksidenti që ndodhi dje ishte ai i Elseid Hysajt, që teksa festonte pas ndeshjes me tifozët, është përplasur me kokë me Besmir Limanin, njeriun shqiponjë, që lyen gjithë fytyrën kuqezi…