Specializimi i fizioterapistëve, Stesina: Synimi i FSHF, formimi i figurave të specializuara në futboll

Departamenti i Mjekësisë Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit vazhdon programin për formimin e fizioterapistëve, të cilët punojnë me ekipe futbolli e jo vetëm, përmes kurseve kualitative që organizohen në mënyrë periodike.

Qëllimi i kursit të fundit ishte që të rriste aftësinë profesionale në fushën e mjekësisë sportive dhe të karakterit post-traumatik e fokusuar më shumë në patologjitë sportive.

Sipas drejtuesit të Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Gianluca Stesina, trajtimi i dëmtimeve muskulore te sportistët është një temë mjaft delikate, pasi është e rëndësishme të përdoren teknikat e duhura dhe të respektohen të gjitha etapat e nevojshme për rikuperimin e plotë.

“Ky është takimi i gjashtë i kursit të organizuar nga Federata e Futbollit për formimin e fizioterapistëve. Temat e sotme janë muskuli dhe dëmtimet e tij, një argument tejet i rëndësishëm në fushën e futbollit pasi 30% e dëmtimeve janë muskulare dhe e detyrojnë futbollistin të qëndrojë larg aktivitetit sportiv për shumë ditë me pasoja ekonomike të konsiderueshme për skuadrat.

Kursi jonë vërtitet rreth dëmtimeve muskulare dhe teknikave të rehabilitimit, koha e nevojshme për rikuperim dhe teknikat e rimëkëmbjes nëpërmjet fizioterapisë në fushë dhe në palestër, në mënyrë të tillë që të përshpejtohet rikthimi në lojë në mënyrë të sigurt dhe duke minimizuar dëmtimet”, – tha Stesina.

Më tej, doktori i njohur shpjegon edhe objektivin që ka FSHF në drejtim të formimit të fizioterapistëve dhe krijimin e sa më shumë figurave të specializuar në botën e futbollit shqiptar.

“Të gjithë terapistët po përfundojnë këtë program studimi prej nëntë takimesh, ku çdo muaj është ndjekur një temë e ndryshme në lidhje me dëmtimet dhe teknikat e mundshme të rikuperimit. Kjo do të vazhdojë deri në korrik, ku do të mbahet provimi përfundimtar pas të cilit Federata do të pajisë pjesëmarrësit me diplomë.

Ideja e Federatës është që në vitet në vazhdim, vetëm personat që kanë bërë këtë kurs mund të bëhen pjesë e skuadrave kombëtare dhe të klubeve. Për këtë arsye ky është kursi i parë që kemi bërë, por do të përsëritet çdo vit në të ardhmen me të njëjtin format, pra nëntë takime me terapistë të rinj në mënyrë të tillë që të formohen gjithmonë e më shumë figura të specializuara në botën e futbollit. Formimi do ndiqet gjithmonë nga Federata, pra Federata do jetë aktori kryesor në formimin e këtyre fizioterapistëve, që do të operojnë në botën e futbollit për sigurinë e futbollistëve të kombëtares dhe të klubeve”, – deklaroi drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Gianluca Stesina.

Interesi për kurset e mjekësisë sportive është gjithmonë i lartë, pasi të tilla eksperienca janë një mundësi e mirë për të gjithë ata fizioterapistë që duan të bëhen pjesë e botës së futbollit sportive dhe të kualifikohen në aspektin profesional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *