Speciale/ “Zemra e babit, i thashë unë Jasir Asanit, nuk e fillon ndeshjen pa ty”! Shqipëri-Bullgari, në Tiranën e paralizuar…jo europiane

Nga Klaudio Ndreca

Shqiptarët nuk kanë parë kurrë Kombëtare më të bukur se kjo e sotmja. Për këtë arsye, miqësore apo zyrtare qoftë ndeshja, të gjithë nisen në drejtim të Air Albania me entuziazmin e madh për të parë nga afër heronjtë e tyre. Për fatin e keq të shqiptarëve, në shumë raste edhe ndeshja në shtëpi kthehet si në transfertë për shkakun se duhet të kalojnë disa peripecira.

Si për shembull në ditën e djeshme, ku e gjithë Tirana ishte e paralizuar nga trafiku. Macroni apo shiu i rënë, ka pak rëndësi, tifozët duhet të paguanin faturën e tyre, si gjithmonë, në një vend që për fatin e keq nuk ka shkuar ende drejt një europianizimi, të paktën kemi një Kombëtare Europiane.

Taksitë ishte e pamundur që t’i gjeje dhe të shërbenin. Ata që punon me taksi personale, kishin mbyllur dyert dhe pasi i telefonoje kishin vetëm një përgjigje: “Nuk punohet sot, është çmenduri nga trafiku, nuk ia vlen, shiko gjej ndonjë tjetër”. E njëjta përgjigje që përsëritej, në ato pak raste që një shofer mund ta gjeje të vetëm në taksinë e tij, edhe ai nuk të hapte derën duke bërë shenjë e mbylljes me duar, të gjithë ishin tmerruar nga Tirana e paralizuar.

Nëse telefonoja kompanitë e taksive, në kohën më të mirë ajo mund të vinte pas dy orësh. Praktikisht, kur taksia të mbërrinte, ndeshja mes Shqipërisë dhe Bullgarisë kishte përfunduar. Mënyra e vetme sesi mund të lëvizej në Tiranë pa një makinë personale ishte urbani, nëse mund të quhet edhe kjo si një mënyrë…normale.

Pas shumë kohësh udhëtimi ku urbani e kishte të pamundur që të çante gjithë numrin e madh të makinave që gjendeshin përpara, një fëmijë i vogël, i lyer në faqe me ngjyrat kuqezi, pyeste shpeshherë babain e tij: “Babi, mos shkojmë shumë vonë, mos ka filluar ndeshja, kur do të zbresim?”. Ndërkohë “gënjeshtra e bardhë” ishte gati: “Zemra e babit, edhe pak zbritëm”. Ky refren filloi të bëhej i pabesueshëm deri në momentin që lindi një tjetër ide: “Fola me Jasir Asanin, i thashë unë atij që të mos e fillojë ndeshjen pa vajtur ti në stadium”. “Mirë”, ishte përgjigja e fëmijës së vogël, që i mbushur me entuziazëm, u kënaq që do të kishte mundësinë që të shihte sërish heronjtë e tij në fushën e blertë, se as trafiku i Tiranës nuk do t’ia hiqte këtë mundësi.

Të tjerë persona kishin probleme serioze. Ata kërkonin që lekët e vogla t’i shkoqnin dhe t’i ktheshin në letër nga faturino i urbanit: “Do të na i marrë policia në hyrje të stadiumit dhe do të na i hedhin, jemi për të parë ndeshjen”. Sepse në fund të fundit, kjo është Shqipëria në aspektin ekonomik, edhe ato shifrat për të cilat duken në kufijtë e qesharakes, për shumë qytetarë janë me vlerë të mëdha pasi blejnë bukën e familjes. Sepse Shqipëria nuk është vetëm ajo që përfaqësohet në Air Albania, pas një tifozi të ulur në çdo karrige të atij stadiumi, ka edhe fatkeqësisht edhe një histori të tillë e cila tregon edhe sakrificat për të ndjekur Kombëtaren në një ndeshje miqësore…në shtëpi.

Shqipëria e futbollit është e bukur sepse “gënjejmë” veten duke menduar pikën se ku jemi në çdo aspekt jetësor, me djemtë e rritur në Europë dhe me një mentalitet tjeër, por sapo vërshëllima e trefishtë e arbitrit bie dhe kënga Mora Fjalë përfundon, fillon i njëjti avaz ku radha për të dalë nuk respektohet dhe nis një tjetër peripeci në një qytet të paralizuar, atje ku vetëm gjumi i thellë mund të qetësojë gjithë lodhjen e madhe e të shkuarit në stadium. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online