Më herët Shqipëria konsiderohej si një nga vendet e humbura të Europës dhe që gjendej në hartë duke e përkufizuar vetëm si fqinje me Greqinë apo afër Italisë. Pavarësisht se futboll është luajtur gjithmonë, kushtet dhe mundësitë që performancat e lojtarëve të binin në vështrimin e të huajve ishin thuajse zero.
Në një vend ku vazhdon të jetë ende prezent ndjenja e frikës së dështimit dhe të rritur me frymën e mosfunksionimit të gjithë zinxhirit jetësor, ku çdo gjë duket të eci mbrapsht, futbolli vjen si një shpresë që na afron më tepër me Europën.
Ia doli me sukses edhe përpara politikës teksa Shqipëria na përfaqësoi denjësisht në Europianin e Francës. Asokohe vendi ynë do të përfitonte imazhin më të mirë në gjithë këto vite për t’i lënë që t’i kuptohej të huajve se shqiptarët nuk janë vetëm ata që lexojnë në faqet e para të gazetave çdo ditë, zakonisht në kronikën e zezë.
Shpresa është e madhe për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit, në një kohë kur brezi i ri i ka të qartë shembujt tashmë. Nëse punon shumë dhe nuk e ul asnjëherë përkushtimin për të shkëlqyer në futbollin shqiptar, po përgatit veten për arenat e Europës.
Zyrtarizimi i Kaleb Ekuban në Serinë A me ekipin e Genoa-s ishte shembulli më i ri. Te Partizani e njohin shumë mirë këtë sulmues që i ka bërë të çohen peshë në stadiumet shqiptare. Tanimë do ta ndjekin këtë lojtar në elitën e futbollit italian me misionin për t’i shënuar ekipeve si Juventusi, Milani dhe Interi.
Myrto Uzuni ishte një tjetër dëshmi e pastër. Asnjë mbështetje apo dashuri e madhe mediatike, por sërish arriti atje ku po e përgatiste veten që të shkonte, në nivelet më të larta. Futbollisti nga Uznova u shpall si lojtari më i mirë në Hungari sa i përket sezonit që lamë pas duke kulmuar me golin ndaj Juventusit.
Për të vazhduar më tej me Amir Rrahmani që pasi e kemi parë me fanellën e Partizanit arriti që të ishte në urdhërat e Gatuzos apo edhe Peter Olayinka që vazhdon të shkëlqejë në kompeticionet europiane. Shembujt nuk kanë të përfunduar me Ernest Muçin që po ofron spektakël me një ekip të njohur si Legia e Varshavës, pa harruar edhe protagonizmin e menjëhershëm të Eneo Bitrit me Astanën.
Të gjitha këto raste tregojnë qartësisht se “filizat e rinj” që po rriten në vendin tonë nuk kanë më arsye për të justifikuar dështimin e tyre. “Në Shqipëri nuk ia dilet”. Po, mundet! Nëpërmjet futbollit mund t’ia dilet për të arritur në majat e Europës pasi gjithçka është e varur nga vetja jote! Gjithmonë diferenca do të bëhet nga puna dhe dëshira më e madhe se pjesa tjetër e grupit për të arritur në majat më të larta, duke mos hequr dorë për asnjë moment të vetëm. Fundja, justifikimet janë për më të dobëtit dhe këtë herë nuk shpjegojnë asgjë për sa kohë po vazhdojnë që të rriten rastet e suksesit. /Sport Ekspres/