Speciale/ Një “Air Albania” për fotografim, fushat t’i harroni! Kur kërkojnë t’i marrin frymën…edhe fëmijëve

0

Nga Klaudio Ndreca

Imagjinoni për një moment një histori brenda familjes. Babai, i pasur në buxhet krahasuar me personat e tjerë në vend, por i varfër krahasuar me pasanikët e botës, nuk i plotëson asnjë dëshirë fëmijës për shkak të gjendjes ekonomike. Ego e madhe, është një garë me mullinjtë e erës përpara. Për të mbërritur deri këtu kryefamiljari harron edhe nevojat bazike që ka një fëmijë për t’u rritur. Nëse kërkohet një lodër formuese që ndikon në zhvillimin mendor të fëmijës apo gjëra të ngjashme, atëherë mjaftohet me një foto në internet për ta parë dhe…kaq!

Fundja, e kush ka kohë të merret me këto “vogëlsira”? Ka objektiva më të mëdha përpara. Një situatë paralele është ajo e futbollit dhe investimeve në infrastrukturë në Shqipëri. Federata ka treguar prej kohësh një projekt për t’u zbatuar, që të ndërtohen 100 fusha futbolli në gjithë vendin.

Por jo, në Shqipëri ka mjaftueshëm pengesa burokratike që në fund të dërgojnë vetëm te një përgjigje, e cila luan të njëjtën muzikë “të shurdhët”. Nga Bashkitë e deri te Ministria, duket se askujt prej tyre nuk i intereson të flasë për futbollin. Por nga ana tjetër janë po këta persona që sapo një evinement i madh organizohet në “Air Albania”, nuk ngurrojnë që ta postojnë në rrjetet sociale duke kërkuar marrjen e meritave dhe përkatësisë: “Ky është ndërtimi im”.

Ndonjëherë, do të shohim sesi një kryebashkiak në një zonë shumë larg Tiranës të pohojë se ka qenë kontributori kryesor i stadiumit më të mirë në Shqipëri. Mos u habisni, këtu dëgjohen të gjitha! Për marrjen e meritave gjithëkush nxiton që të tërheq medaljen, por kur nis maratona, këta janë personat e parë që tërhiqen.

Asnjë përgjigje pozitive nuk është marrë deri tani nga FSHF për projektin e ndërtimit të 100 fushave. Sepse futbolli në Shqipëri, nuk është vetëm “Air Albania”. Futbolli në Shqipëri duhet të nisë që nga fëmijët e vegjël dhe që kërkojnë shtëpinë e tyre për t’u rritur, kushtet më të mira në këto kohë që jetojmë, e që nesër me krenari të mbajnë veshur fanellën e këtij vendi.

E në fakt, vendi ynë është shumë paradoksal. Ironia është e para nga personat përgjegjës që nuk denjojnë të lëvizin as gishtin për të përmirësuar jetën e fëmijëve për të qenë edhe më të shëndetshëm mbi të gjitha, por edhe të ardhmen e futbollit të Shqipërisë. Nuk mendohet dy herë që akoma si batutë të përdoret sesi ekipi ynë kombëtar e pëson në minutat e fundit, kur në fakt nuk bëhen bilancet sesa garë e pabarbartë është mes këtyre shteteve në sport. Pasi në fund të fundit, Shqipëria që arrin të mundi Francën. E ku mund të ndodhi tjetër? “Në Elbasan Arena” gjendet përgjigja!

FSHF i ka parashtruar të gjitha organeve kompetente një projekt ku të investohet në mënyrë të barabartë dhe të përgjysmuar, që barra të mos bie edhe aq e madhe për të tjerët. E megjithatë nuk flitet për aspekte financiare, por çështje dëshire që mungon. Oksigjeni nuk mund të jepet, vetëm të merret. Të paktën, kështu po funksionojmë.

Madje po aq qesharake është situata aq sa nuk bëhet veprimi për të shtuar fushat e blerta, por mendohet sesi të kthehet një fushë futbolli në parkim privat. Histori që mund të dëgjohen vetëm këtu, ndërsa pasi evitohen, konsiderohen si arritje diskutime që në fakt nuk duhej të kishin nisur kurrë. Në vendin e fasadës, mjafton vetëm një telefon, një llogari në rrjetet sociale dhe ndonjëherë një “selfie-sticker” për të treguar lumturinë personale në vendet që ndoshta as që na përkasin.

A e dini se në bazë një studimit të bërë nga ana e FSHF-së, rezulton se raporti i fushave të futbollit varion nga 1/18.000 banorë e deri në rastet ekstreme 1/115.000 banorë? Pra shifra këto që nuk janë aspak entuziaste. E për të pasur një ide më të qartë, kemi Anglinë që ka një fushë futbolli për 1400 banorë dhe Italia që ka 18 mijë fusha të certifikuara me raportin 1/3300 banorë. Për të vazhduar më tej është Islanda që ka 182 fusha me përmasa të certifikuara dhe dhjetëra fusha të mbyllura. Pikërisht Kombëtarja për të cilën ne kemi folur aq shumë si një histori suksesi, teksa arriti të kualifikohej menjëherë nga Europiani në Botëror. Por e gjitha kjo pasi flasim për një shtet që ka 1 fushë për 2500 banorë. E duke krahasuar në përgjithësi këto raporte, jo vetëm që nuk kanë një shenjë të vetme barazie, por janë tmerrësisht larg njëra-tjetrës.

E diku më larg sheh sesi një klub për të cilin diskuton e gjithë Europa që përpara 11 vitesh nuk ka ekzistuar kurrë, vetëm falë një modeli të saktë që është ndjekur, i çudit të gjithë duke mbërritur deri në gjysmëfinalen e “Champions League”. Ose për të qenë më të saktë, fjala çudi nuk duhej të përdorej, pasi bëhet fjalë për GJERMANINË. Atje ka gjithmonë shumë leksione për t’u marrë.

Kjo është mënyra sesi shumë vende e kanë shndërruar futbollin në industrinë e dytë më fitimprurëse, ndërsa edhe qytetarët e tij kur lëvizin nëpër shtete të tjera, kanë një pritje më të ngrohtë. Ashtu si një brazilian, ku mjafton që të takojmë edhe një të panjohur të tillë në rrugë dhe domosdoshmërisht e lidhim me futbollin dhe e shohim me tjetër vështrim. Një zë i çjerrë që ulëret, për të kuptuar se pallatet e shumta me hyrje të pabanuara, nuk mund të jenë më kryesore. Një zë i çjerrë që ulëret për të kuptuar se një vend pushim i makinave, nuk mund të jetë më prioritar sesa lumturia dhe oksigjeni i fëmijëve. Një zë i çjerrë që ulëret për të kuptuar se kafenetë, nuk mund të jenë më të shëndetshme sesa hapësirat që duhen për t’u marrë me sport. E kur të dëgjohet e gjitha kjo? Ende jo, por fëmijët mund të ngushëllohen me plane dhe projekte që as mundet t’i kuptojnë, derisa dikush të jap lejen për t’i zbatuar. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.