Luçiano Spaleti duket se është duke e humbur durimin në Milano, aty ku priste të luftonte për gjëra të mëdha, por klubi nuk e ka mbështetur me përforcime serioze dhe presioni është i jashtëzakonshëm. Corriere Della Sera ka publikuar sot një bisedë të trajnerit të Interit me një grup tifozësh të Romës, pas ndeshjes Inter-Roma në 21 janar. Deklarata të forta, që mund të shndërrohen në një autogol të rëndë, pasi disa nga fjalitë e trajnerit janë tronditëse. Pa e ditur se po e regjistronin, Spaleti ka biseduar lirshëm me tifozët, të cilët e pikasën në një restorant në Milano dhe për rreth një orë biseduan shtruar me trajnerin, për Romën dhe Interin.
ROMA – Marrëdhënia e Luçiano Spaletit me Françesko Totin, një temë e debatuar pa fund në Romë gjatë periudhës kur trajneri drejtonte aty. Tani Spaleti shpjegon arsyen pse kapiteni verdhekuq nuk luante asnjëherë në formacion sezonin e shkuar. “Toti nuk vraponte më dhe lojtarët e tjerë dëshpëroheshin nëse e aktivizoja titullar. Presidenti Palota ma kishte bërë të qartë që do shiste lojtarët më të mirë. Kur isha në Romë më keni bezdisur pa fund, por unë e çova Romën në vendin e dytë, para Napolit. Tani ecni e kapeni po mundët Napolin!”.
INTER – Pasi ka lënë mënjanë kapitullin Roma, Spaleti ka folur edhe për të tashmen e tij tek Interi, duke mos e fshehur shqetësimin për një klub që nuk dëshiron të shpenzojë në merkato: “Klubi nuk dëshiron të shpenzojë dhe ambienti është një hap larg çmendurisë, si në Romë: gjithnjë në fije të perit. Ndonjëherë, ambienti bëhet depresiv, i trishtuar… Titulli? Nuk keni kuptuar asgjë dhe nuk kanë kuptuar asnjë as këtu në Milano: me këtë Juventus, që ka dy skuadra, nuk ka shans askush!”.