Interi e ka mbyllur fazën përgatitore të verës me një tjetër fitore dhe trajneri Luçiano Spaleti nuk ka se si të mos jetë i kënaqur. Në 8 takime të zhvilluara asnjë humbje. Dhe për më shumë 7 fitore, janë tregues se Interi e ka marrë seriozisht sezonin e ri.
Gota gjysmë plot – “Nuk jam në gjendje të bëj vlerësime të tilla, por di të them se gjithçka është fryt i punës së këtyre djemve. Ndaj Betisit nuk ka qenë një ndeshje e lehtë, sepse ata na kanë vënë në vështirë në zotërimin e topit. I kemi lënë disa hapësira atyre, por dhe ne kemi krijuar disa raste për shënim.”
Spaleti për Dalbert – “Ai është një lojtar i ri, që vjen me vrullin për të treguar se çfarë është në gjendje të bëjë. Por ka bërë 2-3 gabime dhe më pas ka humbur qetësinë. Kjo nuk i ke lejuar të shprehë të gjithë kapacitetin e tij. por ka mbajtur mjaft mirë ritmin dhe ka bërë një punë të mirë në fazën mbrojtëse.”
Përmirësimet – “Mendoj se ka ende vend për përmirësim në zotërimin e topit. Kur zotëronim topin kishim mundësi ta kapnim të papërgatitur kundërshtarin, por nuk e kemi bërë. Gjithsesi kemi krijuar raste për shënim. Në ndryshim nga ndeshjet e tjera kam vënë re disa gabime që nuk i prisja.”
Merkato në mbrojtje – “Në këtë moment kemi mungesa në mbrojtje dhe na duhet ndonjë përforcim. E shoh të vështirë largimin e Murijos, por jam në pritje të drejtuesve.”
Kondogbia – “Më vjen vërtet keq për atë çfarë ka ndodhur me të. Duke e njohur se çfarë njeriu është nuk e prisnim sjelljen e tij. Ai vetë e ka kuptuar që është vetë ndëshkuar. Ai kërkon largimin tek Valencia, por për mendimin tim është këshilluar gabim.”
Perisiç – “Ai është i vendosur për të qëndruar.”
Juventusi – “Për mua Juventusi mbetet favorite dhe largimi i një lojtari nuk mund ta dobësojë. Kanë afruar shumë lojtarë të fortë.”