Skuadra e Lushnjes e ka arritur synimin e sezonit që në 17 javët e para të Kategorisë së Parë, pasi u rendit në pesë skuadrat e para në Grupin B. Edhe pse janë të qetë sa i përket rrezikut të rënies nga kategoria, lushnjarët nuk mendojnë që ta lëshojnë garën gjatë fazës së tretë.
Për SportEkspres.com, portieri Mikel Spaho deklaron se kjo ishte Lushnja më e mirë, nisur nga përbërja dhe mundësitë që krijonte. “Ne e quajmë normale dhe sukses këtë renditje të dy fazave të para. Kemi patur edhe oshilacione, që vinin nga organika e cunguar e skuadrës .
Objektivat tona për këto dy faza u arritën dhe është mëse normale të them se ky është një sukses që ka ndihmën serioze të Bashkisë së Lushjes”, deklaroi gardiani i Lushnjes, Mikel Spaho. Më pas ai thekson se gara ende vazhdon.
“Në fazën e tretë Lushnja do të vazhdojë të jetë dinjitoze në garë. Përgjysmimi i pikëve të jep mundësi, sepse ofron alternativa edhe për ta synuar kreun e Grupit B. Gjithsesi, ne kemi më parë ndeshjen e javës së 18-të në Pogradec. Shkojmë me objektivin për të fituar. Çdo rezultat është i mundur, pasi Pogradeci është një skuadër që në fushën e vet të lejon të zhvillosh lojën më të mirë”.
AGRON KAJA