Futbollisti nga Gambia flet për ditët e para korçare, duke vlerësuar skuadrën e tij dhe duke thënë se po përshtatet shpejt me grupin
Leonard Trebicka
Ka gati 10 ditë që ka mbërritur në Korçë dhe 2 ditë që po stërvitet rregullisht me skuadrën, për vetë faktin se në mes ishte ndeshja ndaj Mladës. Në atë kohë trajneri Ilir Daja pak e kishte mendjen të shikonte formën e blerjes më të madhe verore të Skënderbeut, Ali Soue. Lojtari në fjalë dje ka folur ekskluzivisht për “Sport Ekspres”, duke zbuluar të rejat që ka parë në Korçë gjatë këtyre ditëve. Soue shprehet se dëshiron të shkojë larg dhe i vjen mirë që debutimin me fanellën bardhekuqe do ta bëjë në një kompeticion evropian. Ja intervista e tij e plotë:
– Ali Soue, keni disa ditë që ndodheni në Korçë, dhe jeni bashkuar me grupin. Si ndjeheni?
– Në fakt dua ta nis me një fjalë, që gjithçka për mua ka qenë surprizë. Më kanë njohur shumë shpejt, si lojtarët në fushë, por edhe tifozët. Këtë nuk e kisha menduar se do të ndodhte, teksa edhe në stërvitje të gjithë më duartrokasin sa herë prek topin. Kjo më jep edhe më shumë adrenalinë dhe dëshirë, që të jap sa më shpejt më të mirën.
– Jeni përshtatur apo është e vështirë ta themi një gjë të tillë që tani?
– Edhe këtë nuk e prisja, pasi po përshtatem shumë shpejt. Mendova se do ta kisha të vështirë, për shkak edhe të gjuhës, por këtu te Skënderbeu më shumë se gjysma e skuadrës dinë italisht, madje edhe stafi teknik. Kjo më ka ndihmuar shumë edhe mua. Komunikimi është një anë vërtet e rëndësishme për një lojtar, që vjen nga një vend në një vend tjetër, siç është Korça në rastin konkret.
– Jeni në 100% të formës apo doni kohë të arrini një gjë të tillë?
– Realisht, nuk jam në 100% nga ana fizike. Këtë e them, pasi edhe ambientimi me temperaturat, klimën që ka qyteti e shumë të tjera, kërkojnë pak kohë, por shumë shpejt do të jem në formën time më të mirë. Teknikisht jam shumë mirë, por taktikisht do të jem edhe unë njësoj me grupin dhe në një hap me pjesën tjetër të futbollistëve.
– E keni ndjekur Skënderbeun ndaj Mladës në “Elbasan Arena” madje keni festuar si i “çmendur” për kualifikimin. Çfarë përshtypje ju la Skënderbeu?
– Kemi mendësi fituesi dhe kjo është më e rëndësishme. Diçka që pak skuadra e kanë. Nga ajo që pashë në fushë, ekipi më përshtatet, pasi pashë 120 minuta lojë dhe mua m’u duk nga tribuna e “Elbasan Arenës” sikur isha atje në fushë. Kjo skuadër më përshtatet dhe është një tjetër arsye, që më gëzon pa masë. Normalisht, do të festoja shumë për kualifikimin, pasi jam bardhekuq në këtë moment dhe Skënderbeu për mua është gjithçka.
– Keni premtuar që do të shënoni shumë gola te Skënderbeu. Do ta mban premtimin?
– Sigurisht që po. Për këtë kam ardhur te skuadra korçare dhe jam i bindur se do ta realizoj objektivin që i kam vënë vetes. Do të shënoj sa më shumë të jetë e mundur për Skënderbeun, do ta shikoni në fushën e lojës.
– Keni shansin ta nisni aventurën me Skënderbeun ndaj një kundërshtari si Dinamo e Zagrebit. I kënaqur?
– Më vjen vërtet mirë, që do të ndodhë një gjë e tillë, pra ta nis aventurën time me ndeshjet europiane. Luajmë ndaj Dinamos së Zagrebit, një skuadër e fortë, por besoj shumë se me lojën që pashë dhe me këtë skuadër që po stërvitem çdo ditë, të shkojmë deri në grupe. Do të jetë ditë e veçantë debutimi ndaj ekipit kroat, por nëse do të jem në fushë apo jo nga fillimi, këtë e di vetëm trajneri Ilir Daja. Më takon të bëj më të mirën në stërvitje dhe të tjerat i dinë drejtuesit.
– Keni diçka tjetër së fundi për të shtuar?
– Po. Këtu në Korçë kam krijuar shumë shpejt shoqëri edhe kjo më ka bërë përshtypje. Po ashtu, grupi së bashku me stafin, është shumë i afrueshëm. Skënderbeu ka futbollistë me mjaft përvojë dhe shumë të mirë. Jam i kënaqur se me më këtë skuadër jam i bindur që do të shkoj larg.